1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liberalizimi i vizave - Opozita shqiptare kritikon qeverinë për mosmbushjen e kritereve

16 Korrik 2009

Partia Socialiste ka reaguar të enjten (16.7.) për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, duke bërë përgjegjëse qeverinë aktuale për mosfutjen e Shqipërisë në listën e vendeve përfituese.

https://p.dw.com/p/Ir5n
Fotografi: Mimoza Dhima

Qytetarët shqiptarë nuk përfituan nga liberalizimi i vizave për shkak të keqqeverisjes së vendit. Ky ishte në thelb prononcimi i PS-së në opozitë për vendimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Për Ditmir Bushatin, eksponent në PS, tashmë është "thelluar hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit". Ai tha se mosfutja e Shqipërisë në rradhën e vendeve të rajonit që do të përfitojnë nga liberalizimi nuk është bërë thjesht për mungesën e parasportave biometrike. Sipas tij argument tjetër ishte dhe zgjedhjet pa standarte.

"Qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standarteve që kanë të bëjnë me emigracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve", tha Bushati. Ai përmendi dhe dështimin në mbrojtjen e lirive të njeriut, klimën konfliktuale të qeverisë ndaj agjensive të zbatimit të ligjit si edhe korrupsionin.

Por i menjëhershmë ka qënë dhe reagimi i PD-së. Zëdhënësja e kësaj partie Erla Mëhilli, i përshkroi deklaratat e selisë rozë si "justifikime të dëshpëruara të lidershipit socialist për humbjen e tyre në zgjedhjet parlamentare".

Mëhilli tha se brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë do të konkretizohet premtimi elektoral i liberalizimit të vizave të shqiptarëve për në vendët e BE-së.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Sonila Harasani