1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligj i ri për gjuhën shqipe në Maqedoni

1 Gusht 2009

Faktori politik shqiptar në Maqedoni kërkon zyrtarizimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror. Ligji i miratuar një vit më parë për përdorimin e gjuhës shqipe, sipas Partisë BDI është i cunguar.

https://p.dw.com/p/J1Wm
Ndërtesa e Parlamentit të Maqedonisë
Ndërtesa e Parlamentit maqedonas në ShkupFotografi: dpa

Tabelat dygjuhëshe në Manastir dhe Gjevgjeli, si dhe në hyrjet e territorit të Maqedonisë, gjuhë shqipe në Qeveri dhe udhëheqja e mbledhjeve kuvendore në gjuhën shqipe, janë të gjitha këto pjesë të ambicieve për përdorimin paralel të gjuhës shqipe krahas asaj në maqedonisht në Maqedoni. Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është i cunguar dhe është më se e nevojshme që nëpërmjet rregullave parlamentare të mundësohet një ligj i ri me të cilin do të mund të rregullohet përdorimi paralel i gjuhës shqipe me atë maqedonisht në mbarë territorin e Maqedonisë. "Kjo nënkupton se ende duhet punuar në këtë drejtim. Pse e votuam ligjin e tillë? Pasi që nuk ekzistonte fare ky ligj. Pasi që i tërë opinioni ishte i bundur se nuk mund të miratohej një ligj i tillë", është shprehur Ermira Mehmeti nga rradhët e BDI-së, duke shtuar se kristalizimi i çështjes për implementimin e ligjit të gjuhëve është më se i domosdoshëm.

Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi i ka ofruar kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhëve, tanimë të miratuara, me të cilat ndryshime gjuha shqipe do të trajtohej si gjuhë zyrtare edhe në ato vendbanime ku përqindja e shqiptarëve arrin deri 20 %. Nëse nuk ka disponim për këtë iniciativë, PDSH-ja paralajmëron tërheqjen e grupit parlamentar nga Parlamenti. Tabelat dygjuhëshe në Manastir dhe Gjevgjeli, si dhe në hyrjet e territorit të Maqedonisë, gjuhë shqipe në Qeveri dhe udhëheqja e mbledhjeve kuvendore në gjuhën shqipe, - janë të gjitha këto pjesë e ambicieve për përdorimin paralel të gjuhës shqipe krahas maqedonishtes në Maqedoni.

Lideri i DR-së Immer Selmani në takimin e liderëve që u mbajt javën e kaluar ka kërkuar që me ligjin e Parlamentit që duhet të miratohet nga mesi i muajit gusht të zgjidhet edhe përdorimi i dygjuhësisë në kuvendin ligjvënës. "Të kemi me të vërtetë implementim adekuat të gjuhës shqipe në nivel zyrtar, theksoi Selmani. Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar vitin e kaluar dhe se tani është e nevojshme të kalohet në përdorimin praktik të tij, ka thënë kryemnistri Nikolla Gruevski duke shtuar: "Është kjo njëra nga sfidat në pjesët e implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit"

VMRO-ja Popullore e ish- Kryeminstrit Lubço Georgievski, i cili është edhe nënshkrues i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, është kundër përdorimit të dygjuhësisë në mbarë territorin e Maqedonisë, pasi që siç vlerëson partia, kjo do të paraqiste një mundësi për destabilizim të marrëdhënieve ndëretnike në vend.Gjuha shqipe duhet të rregullohet me ligj si gjuhë e dytë zyrtare në Parlament, Qeveri, në komunikimin publik dhe në të gjitha organet dhe institucionet shtetërore, por jo edhe të përdoret në mbarë territorin e Maqedonisë. Janë këto disa nga reagimet e ekspertëve pas iniciativës së bllokut shqiptar politik në Maqedoni për zbatimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror.

"Nuk është e natyrshme nëse në mbledhjen kuvendore një deputet drejtohet në gjuhën shqipe, ndërsa ministri, i cili është shqiptar të drejtohet në gjuhën maqedonase. Nëse ai është anëtar i qeverisë, sipas kësaj arsye ai duhet të flasë në gjuhën maqedonase, ndërsa deputeti shqiptar të flasë në gjuhën shqipe", deklaron profesori Xheladin Murati, ligjërues i gjuhëve dhe kulturave në Universitetin e Shtulit.

Shkrimtari Resul Shabani vë theksin se shqiptarët kudo që jetojnë pa marrë parasysh numrin e banorëve në atë rrethinë, duhet të fitojnë të drejtën që me pushtetin qëndror, organet dhe institucionet shtetërore të komunikojnë në gjuhën shqipe. Në këtë kontekst Shabani thekson: "Gjuha shqipe duhet të përdoret në tërë territorin e Maqedonisë, por jo edhe në Vallandov, ku nuk ka shqiptarë. Por atë ta përdorin institucionet dhe ministritë".

Profesori i katedrës së gjuhës maqedonisht Ludmill Spasov në fakultetin filozofik të Shkupit, paralajmëron se është i mundur „ federalizimi linguistik dhe politik i Maqedonisë. "Nëse në tërë territorin e Maqedonisë, edhe atje ku nuk ka banorë shqiptarë të përdoret gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, atëherë kjo nuk mund të ketë arsye poltike, por lë të nënkuptohet si federalizim linguistik të shtetit".

Doktori i shkencave Zhidas Daskallovski në qendrën për hulumtim dhe krjim të politikave në Shkup është i bindur se Maqedonisë i kërcënohet rreziku i një lloj federalizimi, në rast të miratimit të një ligji të ri për përdorimin e gjuhës shqipe. "Çdo ligj duhet menduar mirë, si dhe nevojitet një llogari e mirë financiare për shpenzimet e përkthyesve e kështu me rradhë Nëse këto shifra janë të larta dhe nëse kjo paraqet një ngarkesë për buxhetin shtetëror në këtë krizë financiare duhet të insistohet që ky ligj të shtyhet për një kohë më të volitshme."

Daskallovski dhe Spasov arrijnë në konkluzionin se me një vullnet të mirë të të gjitha partive poltike në Parlamenet duhet të shqyrtohet çështja e satusit të gjuhës shqipe dhe kurrsesi ajo të mos bëhet pengesë e procesit eurointegrues të Maqedonisë.

Autor: Qeriman Bekteshi/Pandeli Pani

Radaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi