1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Linjë energjitike nënujore Shqipëri-Itali

Ani Ruci / Tiranë19 Gusht 2008

Tirana mirëpret vendimin e Romës për ndërtimin e linjës energjitike nënujore Vlorë-Brindizi. Përmes saj Italia blen energji elektrike nga Shqiperia, që goditet nga kriza të rënda kronike të mungesës së energjisë.

https://p.dw.com/p/F0yL
Për të garantuar një furnizim të sigurtë me energji elektrike Italia synon importimin e saj nga Shqipëria dhe vende të tjera të Evropës Jug- Lindore
Për të garantuar një furnizim të sigurtë me energji elektrike Italia synon importimin e saj nga Shqipëria dhe vende të tjera të Evropës Jug- LindoreFotografi: picture-alliance / KPA/Theissen

Vendimi i qeverise italiane për të ndërtuar një linjë energjitike nënujore me Shqipërinë vjen pas miratimit të ofertës italiane në janar të këtij viti nga qeveria e Tiranës.

Vonesa pothuajse 7 mujore e miratimit nga qeveria italiane e vetë ofertës së saj nuk e ka ulur aspak entuziazmin dhe mirëpritjen e projektit nga pala shqiptare. Zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës Iva Tiço tha sot për DW se "zyrtarizimi i marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës do t´i hapë rrugën ndërtimit të linjës nënujore energjitike Vlorë - Brindizi. Ajo theksoi se "kjo linjë është pjesë e projekteve që ka qeveria e Tiranës për të thithur investime të huaja në ndërtimin e burimeve të reja alternative të energjisë elektrike si edhe të linjave të transmetimit të saj me vendet fqinje."

Përemes kësaj linje nënujore Italia do të importojë energjinë elektrike që do të prodhohet në termocentralin me qymyrguri, të projektuar për t´u ndërtuar në Vlorë. Pas protestave të fuqishme të ambientalistëve të Shqipërisë që ky termocentral të mos ndërtohet në gjirin e Vlorës, qeveria e kryeministrit Berisha po shikon alternativa për terrene të tjera, po në Vlorë.

Duket se të dyja palët janë tepër të interesuara për filimin sa më parë të punimeve për linjën nënujore. Por përfitimet e tyre janë të ndryshme: për Italinë një burim më shumë për t´u furnizuiar me energji elektrike, për Shqipërinë përfitime financiare.

Në një deklaratë për shtyp të Ministrit italian të Ekonomisë, Klaudio Skajola, të botuar sot në shtypin e Tiranës, linja nënujore Vlorë - Brindizi vlerësohet si " pjesë të infrastrukturës së re energjitike që po ndërton Italia për të garantuar një furnizim të sigurtë me energji elektrike përmes importit të saj nga Shqipëria dhe vende të tjera të Evropës Jug- Lindore."

Zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Energjitikës, Iva Tiço, i tha DW se " interesi i Shqipërisë për rastin në fjalë lidhet me të ardhurat që ajo do të marrë nga pagesa italiane e qirasë së tokës dhe gjithë sistemi i taksave."

Linja nënujore energjitike Shqipëri - Itali do të ketë një kapacitet prej 500 megavat dhe do të lidhë portin jugor italian të Brindizit me Vlorën. Gjatësia e saj do të jetë në gjithsej 155 kilometra. Ajo do të ndërtohet nga grupi energjitik italian "Moncada" i cili ka marrë përsipër të realizojë edhe një projekt tjetër mes dy vendeve fqinjë, që lagen nga Adriatiuku: atë të shfrytëzimit të energjisë së erës në Gadishullin e Karaburunit për të prodhuar energji elektrike.

Ndërtimi i linjës nënujore Vlorë - Brindizi ndofta përbën fillimin e realizimit të ëndrrës së qeverisë Berisha për ta kthyer Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë elektrike, projekti më guximtar i të cilës është ndërtimi i një centrali bërthamor për ta prodhuar atë.

Tani për tani Shqipëria mbetet e këcënuar nga krizat kronike, të mungesës së energjisë, që sjell si pasojë ndërprerjen e saj nga 6-8 orë në ditë në Tiranë dhe qytetet e mëdha.