1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lirohen dy pengjet gjermane në Irak

Anila Shuka3 Maj 2006

Pas 99 ditësh tensioni dhe ankthi në Berlin dhe Lajpcig mbërrin lehtësimi dhe gëzimi për lirimin e Rene Brojnlih dhe Tomas Niçkes.

https://p.dw.com/p/Ar0h
Pengjet në një video të kidnapuesve
Pengjet në një video të kidnapuesveFotografi: AP

Lajmi për lirimin e dy pengjeve erdhi të martën nga Kili i Amerikës Jugore, ku ndodhej për vizitë zyrtare ministri i jashtëm Frank-Valter Shtajnmajer: "Dua t'ju njoftoj dhe nuk mund t'ua përshkruaj se sa i gëzuar jam që dy lajpcigasit që për 13 javë kanë jetuar si pengje në Irak, Tomas Niçke dhe Rene Brojnlih u liruan para disa minutash," – bëri të ditur ministri të martën në mbrëmje në Santiago.

32-vjeçari Niçke dhe 28 vjeçari Brojnlih ndodheshin në ato momente në ambasadën gjermane në Irak në trajtim mjekësor. Dy inxhinjerët gjermanë ishin kidnapuar më 24 janar, tre javë mbas lirimi të Suzane Osthofit, pengmarrja e të cilës kishte qenë prova e parë që duhej të kalonte kaoalicioni i madh. Kancelarja Angela Merkel u shpreh e lehtësuar dhe e gëzuar të martën në mbrëmje: "Kam dëgjuar që gjendja e tyre relativisht është e mirë, dhe që tani po bëhet gjithçka që ata të kthehen në Gjermani shëndoshë e mirë," – tha ajo në Hanover, ku kishte shkuar në një tubim të Unionit Kristiandemokrat.

Lehtësim për të afërmit

Kthimi i ish-pengjeve në Gjermani është parlajmëruar për të mërkurën në mbrëmje. Në pritje janë të paktën 300 njerëz nga rethi familjar, shoqëror dhe kolegë të punës, të cilët gjatë tre muajve më të fundit dalë mbi 25 herë në sheshin kryesor të Lajpcigut me qirinj, kurora dhe pankarta nëpër duar për t'u kujtuar kidnapuesve se dy specialistët nuk ishin agjentë ose armiq të popullit irakian.

Lirimin e pengjeve e patën kërkuar në televizionin arab Al Xhazira edhe dy nënat e të kidnapuarve si edhe vetë ministri i jashtëm Frank Valter Shtajmajer. Përmes katër mesazheve me video të transmetuara gjithashtu në "Al Xhazira" pengmarrësit kërkonin me ultimatum largimin e firmave gjermane nga Iraku dhe mbylljen e ambasadës gjermane në Bagdad.

Asnjë hollësi për rrethanat e pengmbajtjes dhe lirimit

Tre muaj e gjysmë tensioni kaluan edhe punonjësit e Shtabit të Krizës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, që u krijua menjëherë pas kidnapimit, nën drejtimin e Sekretarit të Shtetit, Rajnhardt Zilberberg. "Ishim të parët që u kumtuam familjeve lajmin e gëzuar. Mbas këtyre javëve të pasigurisë shprehim gëzimin tonë nga thellësia e zemrës," - tha Zilberberg të martën në mbrëmje. Ai falenderoi të gjithë ata që dhanë ndihmesën e tyre për zgjidhjen e çështjes, por kërkoi që të mos kërkohen hollësi për rrethanat e mbajtjes dhe të lirimit të pengjeve.

Brojnlih dhe Niçke kishin shkuar në Irak vetëm për pak ditë për llogari të firmës saksone "Cryotec". Ata do të instalonin një aparaturë në një rafineri në Baixhi, 200 km në veriperëndim të Bagdadit. Qyteti 60 mijë banorësh ndodhet në të ashtuquajturin trekëndësh sunit që konsiderohet si një nga zonat më të rrezikshme të Irakut.