1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110310 Paralympics Anerkennung

20 Mars 2010

Kur më 12 mars në Vancouver u hapën lojrat paralimpike, u festua edhe një jubile i vogël, dhjetëvjetori i Lojrave dimërore. Sporti i njerëzve me aftësi të kufizuara ka arritur të dalë gjithnjë e më shumë në pah.

https://p.dw.com/p/MYCI
Athinë 2004
Athinë 2004Fotografi: AP

Medaljen e artë të lojrave olimpike Ludwig Guttmann nuk e ka marrë kurrë, megjithëse e ka merituar atë. Jo për shkak të aktivitetit sportiv, por të atij ideologjik. „Ideja ka filluar në vitin 1944, kur një neurokirurg gjerman që kishte migruar në Britaninë e Madhe, ngriti i ngarkuar nga qeveria britanike një qendër për njerëzit e dëmtuar në shtyllën kurrizore,“ shpjegon Steffi Klein, zëdhënëse e Komitetit ndërkombëtar paralimpik (IPC). Kur në korrik të vitit 1948 në Londër u zhvilluan Lojrat Olipmike, Guttman-i organizoi paralelisht lojrat e para sportive për njerëzit që lëvizin në karrocë: Në spitalin Stoke Mandaville 16 veteranë të luftës që ndodheshin në karrocë u ndeshën me njëri tjetrin në gjuatje me hark.

Që prej atëherë Lojrat e Stoke Mandaville zhvillohen çdo vit. Shijen e lojrave olimpike sportistët me aftësi të kufizuara e përjetojnë për herë të parë pas vitit 1960. Në Romë u zhvilluan këtë vit për herë të parë "Lojra botërore të njerëzve të paralizuar".

Toronto, Kanada, 2010
Toronto, Kanada, 2010Fotografi: picture-alliance/dpa

Në lojrat pasuese morën pjesë jo vetëm sportistët që lëvizin me karrocë, por edhe sportistët e verbër, sportistë me amputacione si dhe atletë me dëmtime sensomotorike. „Fillimet ishin me luhatje. Vështirësi kishte kryesisht në financimin e lojrave, sepse kërkush nuk i sponsorizonte ato," tregon Steffi Klein.

Kështu për shembull në vitin 1984 sportistët me aftësi të kufizuara u përjashtuan nga loja në Long Island, USA pak para fillimit të saj. Argumentimi zyrtar ishte se ndërtesat e vendit të organizimit të lojrave nuk ishin të përshtatshme për njerëzit që lëvizin me karroca. Lojrave dimërore të zhvilluara në të njëjtin vit iu desh të luftonin me probleme të ngjashme. Qyteti i Sarajevës nuk mendonte se ishte në gjendje të krijonte mundësi për sportistët paralimpik.

Megjithë pengesat e tilla lojrat për njerëzit me aftësi të kufizuara organizohen në mënyrë gjithnjë e më profesionale. Në lojrat e Seulit u përdor për herë të parë koncepti i Lojrave Paralimpike. „Në princip ato janë të njëjtat me Lojrat Olimpike. Më parë ka patur burime informuese që thonin se ato ekzistonin si lojra paraplegjike, pra të të paralizuarve dhe olimpike, por meqenëse ato zhvillohen paralelisht me Lojrat Olimpike, është rënë dakord që paralelisht ato të quhen kështu.“

Toronto, Kanada, 11.08.1976
Toronto, Kanada, 11.08.1976Fotografi: picture alliance / dpa

Në fillim të lojrave për njerëzit me aftësi të kufizuar merrnin pjesë vetëm disa vende, por tani lëvizja paralimpike është zgjeruar në gjithë botën. Gjatë lojrave paralimpike të 2008-ës në Pekin morën pjesë 4 mijë atletë nga 148 vende. Në Vancouver u pritën 540 sportistë nga 44 vende. Edhe interesimi i mediave është rritur vitet e fundit. Për këtë Steffi Klein gëzohet shumë. Sepse në këtë mënyrë përhapet më mirë mesazhi i lojrave paralimpike. „Në mënyrë që t`i tregohet teleshikuesve në të gjithë botën çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit me aftësi të kufizuara. Sepse ata nuk kanë nevojë për mëshirë dhe as që e duan atë. Edhe presidenti ynë thotë, unë nuk jam me aftësi të kufizuara, bota më bën të tillë."

Për herë të parë gjatë Lojrave Paralimpike Dimërore marin pjesë atletë nga Argjentina, Bosnjë Hercegovina, Rumania dhe Serbia. Ashtu si dhe në lojrat e Torinos, sportistët garojnë në pesë lloje sportesh hockej me rrëshqitje në akull, curling me karrocë, ski alpine, ski në distanca të gjata dhe biathlon.

Autor: Sarah Faupel/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi