1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë fetare për Buttiglionen

Bernd Riegert22 Tetor 2004

Konservatori italian luan një rol kyç në zënkën për Komisionin e ri Evropian

https://p.dw.com/p/ArG4

Mbi mendimet e Papës filozofi Rocco Buttiglione ka shkruar një libër. Profesori demokristian është një këshilltar i rëndësishëm për kryebariun shpirtëror katolik. Ministri i Italisë për Evropën nuk e fsheh besimin e tij të zjarrtë, Buttiglione simpatizon me vëllazërinë ultrakonservatore Opus Dei:

"Unë jam katolik, ky nuk është sekret. Nuk ka të bëjë aspak me Vatikanin, por më shumë me besimin. Besoj që njeriu mund të jetë katolik i mirë dhe njëkohësisht evropian i mirë."

Por këtë nuk ia besojnë më shumë deputetë evropianë, që kur komisioneri i ardhshëm për drejtësi, liri dhe të drejtat themelore në seancën dëgjimore e damkosi si imorale dashurinë homoseksuale:

"Unë mund të mendoj që homseksualiteti është mëkat. Kjo nuk ka kurrfarë ndikimi mbi politikën; vetëm në rast se do të thosha që homoseksualiteti është krim."

Në trazimin e shkaktuar prej tij, sigurimi i 56-vjeçarit Rocco Buttligione, se nuk do ti hante hakun askujt prej orientimit seksual dhe se do të mbronte vlerat evropiane bazë, duket sikur humbet. Përfytyrimi i tij për gruan shkaktoi po ashtu kontradikta:

"Familja ekziston në mënyrë që gratë të bëjnë fëmijë dhe të gëzojnë mbrojtjen e burrit, i cili kujdeset për to. Ky është përfytyrimi tradicional për martesën, të cilin unë e mbroj."

Sipas tij, shprehjet e tij gjoja përçmuese mbi nënat që i rrisin të vetme fëmijët janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë interpretuar gabim. Kështu pretendoi Buttiglione pasi ndaj tij pati rezerva para së gjithash nga të gjelbërit dhe socialistët se nuk ishte korrekt politikisht dhe në këtë mënyrë i papranueshëm.

Fakti që Vatikani e merr në mbrojtje Buttiglionen dhe flet për përndjekje të re të të krishterëve, për inkuizicion, i ka ashpërsuar frontet në Bruksel. Rocco Buttiglione ndjehet i përndjekur dhe viktimë e një fushate urrejtjeje. Teza e tij është se Evropa laike i ka shpallur luftë të gjithë katolikëve.

I shtyrë nga presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian Jose Barroso Buttiglione ka nisur tërheqjen. Në letrën e tij drejtuar Barrosos, i gjithë ekipi i të cilit mund të dështonte prej qëndrimit të Buttigliones, italiani e mori mbrapsht fjalën mëkat.

Nëse kjo do të mjaftojë duhet dyshuar, sepse ka kohë që nuk bëhet më fjalë për shprehjet e Buttigliones, por për parim. Në ç'masë lejohet ta tregojë një komisioner evropian besimin, sa e fortë duhet të jetë ndarja e kishës nga posti. Gazeta franceze Libération shkroi, se duhej theksuar karakteri laik i demokracisë evropiane. Duhet të mbrohemi, sipas saj, nga fondamentalistë të çdo lloji që e vendosin moralin mbi të drejtën. Jose Barroso përpiqet të zbusë, por pa i zemëruar vendet e BE-së si Italia, Polonia apo atdheun e tij Portugalinë.

Barroso i hoqi të besuarit të Papës përgjegjësinë për mosdiskriminimin e pakicave, por kjo vlerësohet vetëm si masë kozmetike nga kritikët e Buttigliones. Nëse do të mjaftojnë këto retushime do të vërtetohet më së vonti të mërkurën e ardhshme në votëbesimin në Parlamentin Evropian. Është e mundur edhe që italiani të dorëzohet, sepse për këtë Buttiglione nuk lë as më të voglin dyshim: besimin e vet ai nuk do ta sakrifikonte kurrë për synime politike.