1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta midis Rusisë dhe Gjeorgjisë i ka bërë të pasigurtë njerëzit në Ukrainë

Lydia Hryschko 18 Gusht 2008

Me të dyja vendet ekzistojnë marrëdhënie të ngushta. Por marrëdhëniet politike midis Moskës dhe Kievit janë të vështira. Shumë ukrainas presin që lufta në Gjeorgji t'i përkeqësojë raportet e vendit të tyre me Rusinë.

https://p.dw.com/p/F0Ia
Përpjekje për ndërmjetësim në konfliktin Gjeorgji-Rusi, nga e majta, presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves, ai polak Lech Kaczynski, ai i Ukrainës Viktor Jushçenko, ai lituanez Valdas Adamkus dhe kryeministri letonez Ivars Godmanis, 12.08 2008
Përpjekje për ndërmjetësim në konfliktin Gjeorgji-Rusi, nga e majta, presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves, ai polak Lech Kaczynski, ai i Ukrainës Viktor Jushçenko, ai lituanez Valdas Adamkus dhe kryeministri letonez Ivars Godmanis, 12.08 2008Fotografi: AP

Për qytetarët e Ukrainës, Rusia është një vend i rëndësishëm, me të cilin ata duan të kenë marrëdhënie të mira. Shumë kanë të afërm e shokë në Rusi. Por edhe me Gjeorgjinë njerëzit ndihen të lidhur. Sepse edhe në drejtim të Tibilisit ka shumë marrëdhënie personale. Politikisht, punët paraqiten ndryshe. Raporti midis Moskës dhe Kievit është karakterizuar vitet e fundit nga grindjet. Me Gjeorgjinë nga ana tjetër, marrëdhëniet politike janë zhvilluar në mënyrë të tillë, sa presidenti ukrainas Viktor Jushçenko mori hapur në konflikt anën e homologut të tij gjeorgjian.

Ukrainasit e kanë humbur disi sigurinë

Bisedat në rrugët e Kievit tregojnë se shtetasit e Ukrainës e kanë humbur disi sigurinë. Shumë druhen për një grindje të mundshme ekonomike dhe ndoshta ushtarake me Rusinë.

"Rusia nuk ka të drejtë që të përzihet në punët e brendshme të një shteti të pavarur. Nga pikëpamja e ukrainasve, politika që ndjek presidenti Jushçenko ndjek ndaj Rusisë është megjithatë e papërshtatshme. Sepse ne jemi të varur nga Rusia, në radhë të parë në formën e energjisë. Prandaj do të ishte më mirë që të mos grindemi me ta."

Shumë ukrainas nuk dëshirojnë që politikanët e tyre të përfshihen në konfliktin midis Rusisë dhe Gjeorgjisë:

"Prej Rusisë mund të presësh gjithçka. Mund të tregosh mirëkuptim si për njërën, ashtu edhe për tjetrën palë. Por unë nuk do të justifikoja asnjë palë. Kryesorja, Ukraina të mbetet e paprekur prej kësaj."

Gadishulli i Krimesë në Detin e Zi, ku mbizotëron popullsia rusishtfolëse, mund të jetë shkas për grindje me Rusinë
Gadishulli i Krimesë në Detin e Zi, ku mbizotëron popullsia rusishtfolëse, mund të jetë shkas për grindje me RusinëFotografi: AP

Krimeja me popullsinë e saj rusishtfolëse mund të jetë shkas për grindje me Rusinë

Krimeja, mendojnë njerëzit, mund të jetë shkas për grindje me Rusinë. Gadishulli i Detit të Zi i takon Ukrainës. Atje mbizotëron popullsia rusishtfolëse, e cila përpiqet për lidhje me të ngushta me Rusinë. Një konflikt në Krime Rusia mund ta merrte për shembull si bazë për të ushtruar presion. Njerëzit e kanë të qartë se në fund qëndrimin e presidentit ukrainas pro Gjeorgjisë do ta paguajnë në fund me çmimin e gazit:

"Presidenti ukrainas ka nënshkruar një dekret për Flotën e Detit të Zi. Kjo do t'i ndikojë negociatat për gazin midis Ukrainës dhe Rusisë. Por ndoshta për Ukrainën ka ardhur koha të mësojë se duhet paguar një çmim për pavarësinë. Sepse gazi nuk është gjithçka në jetë."