1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta në Irak nuk mund të fitohet më!

Daniel Scheschkewitz22 Tetor 2006

Ekspertët në SHBA kërkojnë ndryshim strategjie

https://p.dw.com/p/ArKD
Tetor i përgjakshëm për forcat amerikane në Irak
Tetor i përgjakshëm për forcat amerikane në IrakFotografi: AP

Përballë shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës në Irak gjithnjë e më shumë ekspertë amerikanë i këshillojnë qeverisë së vendit ndërrimin e strategjisë në Irak. Shtëpia e Bardhë vazhdon të mos shprehet, por synimi për një Irak të bashkuar, në paqe, demokratik dhe miqësor ndaj Amerikës nuk duket më i arritshëm. Gjithë opsionet që i mbeten presidentit George W. Bush janë pa përjashtim problematike.

Tetori po kthehet në muajin më të përgjakshëm për forcat amerikane në Irak që prej marshimit në pranverën e vitit 2003. Të enjten një zëdhënës ushtarak pranoi dështimin e operacionit "Përpara së bashku", me anë të të cilit forcat irakiane dhe amerikane të sigurisë u përpoqë të kufizonin dhunën në kryeqytetin Bagdad. Të premten agjencitë e lajmeve njoftuan marrjen përkohësisht prej milicisë shiite Sadr të qytetit Amara në jug të vendit.

Në Uashington po kthjellohet tashmë edhe Partia Republikane e Bushit. Senatoren për Teksasin, Kay Hutchison: "Gjërat nuk po shkojnë ashtu siç do të donim, pra duhet të prodhojmë ide të reja. Për këtë qëllim janë udhëheqësit politikë."

Ekspertë si ish-këshilltari i qeverisë Bush në ministrinë e jashtme amerikane Richard Haas kërkojnë publikisht ndryshimin e strategjisë: "Lufta në Irak nuk mund të fitohet më, në rast se fjalës fitore i jepet kuptimi i vërtetë. SHBA duhet të kërkojnë rrugë për kufizimin e humbjeve dhe të kostos. Ndërkohë në pjesë të tjera të rajonit duhet të kërkohen mundësi për arritje progresi dhe për kufizimin e pasojave negative prej gjendjes në Irak."

Në Shtëpinë e Bardhë është caktuar një komision për Irakun, të cilin e drejton James Baker, ish-ministri i jashtëm nën presidentin e parë Bush. Siç kuptohet, komisioni do të propozojë pas zgjedhjeve të nëntorit për kongresin që në zgjidhjen e problemit të Irakut të përfshihen më shumë vendet fqinje, mes tyre edhe shtetet fqinje Iran dhe Siri si dhe konflikti palestinezo-izraelit.

Senatorja Hutchison angazhohet për ndarjen e Irakut në veriun kurd, jugun shiit dhe qendrën sunite. Senatorë të tjerë si John McCain, i cili sipas të gjitha gjasave do të kandidojë si pasues i Bushit për Partinë Republikane pas dy vjetësh, kërkojnë dërgimin e trupave shtesë; por ushtria amerikane ka mbërritur që tani në kufirin e kapaciteteve të veta.

Të tjerë, para së gjithash nga Partia Demokratike, kërkojnë një tërheqje me faza të trupave amerikane nga Iraku, gjë që Shtëpia e Bardhë e kundërshton ende.

Vëzhguesit nuk llogarisin me ndryshim strategjie nga qeveria amerikane përpara zgjedhjeve të 7 nëntorit për kongresin. Por pas kësaj date gjithçka është në dispozicion.