1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta në Ripin e Gazës mund t´i radikalizojë më shumë brezat e ardhshëm

VFB5 Janar 2009

Në shtypin gjerman të së hënës komentatorët u kushtojnë vëmendje zhvillimeve në Rripin e Gazës.

https://p.dw.com/p/GS71
Fotografi: DW

Gazeta "Schwarzwälder Bote" komenton: "Pavarësisht se si do të përfundojnë luftimet, shanset për një marrëveshje të re paqeje janë humbur edhe për disa vite. Hamasi krijon martirë të rinj dhe si pasojë mund të rekrutojë edhe më shumë atentatorë kamikazë. Ndërsa në Izrael e kanë tani fjalën përfaqësuesit e vijës së fortë, sepse më 10 shkurt zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Të dy rivalët për postin e kryeministrit: ministrja e jashtme Zipi Livni dhe ministri i mbrojtjes Ehud Barak, demonstrojnë forcën, ndonëse kjo tregon vetëm dobësi."

Gazeta "Tageszeitung" shkruan: "Eshtë për të pasur frikë, se lufta në Ripin e Gazës do t´i radikalizojë më shumë brezat e ardhshëm të palestinezëve. Hamasi mund të zëvendësohet si pasojë nga një brez i Al Kaidës. SHBA dhe evropianët duhet të angazhohen krejt ndryshe. E sigurtë është vetëm se: Hamasi, që forcohet prej rrënojave të luftës, do të vazhdojë ta mbajë botën në ankth."

E përditshmja "Mittelbayerische Zeitung" tërheq vëmendjen: "Ai që sheh me lemeri ofensivën e këmbësorisë së ushtrisë izraelite, vajton viktimat civile dhe shqetësohet për pasojat e operacionit të armatosur ndaj gjithë Lindjes së Mesme, duhet të shohë pak edhe prapa. Hamasi radikal prej javësh lëshon qindra raketa ndaj Izraelit. Cili shtet mund të bënte sehir në vazhdimësi, kur qindra mijëra qytetarë të tij kërcënohen vazhdimisht. Pikërisht kjo ndodhi dhe po ndodh në Jug të Izraelit: çdo qytetar duhet të llogarisë, së minutat e ardhshme shtëpia e tij mund të goditet nga ndonjë predhë."