1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufte e paqe

Nina Verkhojzer25 Korrik 2005

Politika e jashtme dhe e sigurisë ne programet e partive gjermane

https://p.dw.com/p/Ar3A

Presidenti gjerman, Horst Këler, caktoi 18 shtatorin si datë për zgjedhjet e parakohshme për parlamentin gjerman (Bundestag). Por partitë kanë kohë që kanë filluar fushatën elektorale. Në zgjedhjet mëparshme të vitit 2002 temë qendrore e fuhatës ishte Iraku. Kancelari Gerhard Shrëder (SPD) arriti të mblidhte shumë vota duke u shprehur qartë kundër luftës. Në fushatën aktuale Iraku nuk luan ndonjë rol të veçantë. Por vëmendje tani po i kushtohet arkitekturës së sigurisë globale dhe rolit që do të luajë Gjermania në ndërtimin e saj.

As Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) nuk do ushtarë gjermanë në Irak. Megjithëse asokohe ata kritikuan faktin që kancelari u shpreh qysh herët përfundimisht kundër pjesëmarrjes gjermane në Irak. Në programin e Partisë Social Demokrate (SPD) për këtë arësye shkruhet: "Me Angela Merkelin si kancelare ushtarët gjermanë sot do të ishin në Irak." Por Gerd Myler, folësi i politikës së jashtme të unionistëve bavarezë (CSU) në Bundestag, thotë: "Në Irak do të mbetemi në linjën e qeverisë. Nuk shohim shkak për ta ndryshuar."

Sa i përket angazhimit të ushtrisë gjermane (Bundesverit) jashtë shtetit nuk ka dallime mes partive, përfshirë këtu edhe koalicionin e sapokrijuar mes Partisë së Majtë (Linkspartei) dhe Alternativës Zgjedhore për Punë dhe Drejtësi (WASG). Të gjitha partitë janë për vazhdimin e misioneve në Afganistan dhe Ballkan. Përveç kësaj unionistët korkojnë që Bundesveri të angazhohet edhe brenda vendit për "mbrojtje nga rreziku i terrorizmit", siç thuhet në programin elektoral. Jo vetëm socialdemokratët e Shrëderit dhe "Të Blertët" e ministrit të jashtëm, Fisher, e rrefuzojnë këtë, por edhe aleatët e vegjël të unionistëve, liberalët (FDP): "Bundesveri nuk është polici, nuk është as i kualifikuar e as i pajisur për një detyrë të tillë. Ushtria ka detyra të tjera, e ato majftojnë," – argumenton Sekretari i Përgjithshëm i FDP-së, Dirk Nibel.

Dallime thelbësore ekzistojnë edhe sa i përket kandidimit të Gjermanisë për vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit (KS) pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Për Shrëderin kjo aspiratë është e vetëkuptueshme për një "fuqi të mesme", e cila është fort e angazhuar në OKB:

"Gjermania duhet dhe do të tregojë vetëbesim në rrethin e partnerëve dhe miqve tanë, por pa e tepruar. Ne ndërlidhim aftësi aleance me vetëdije për të përfaqësuar pikëpamjet tona në çështje të rëndësishme e për t'i realizuar ato në areënën ndërombëtare. Nuk kam për të lëvizur nga një kurs i tillë," – ka paralajmëruar Shrëderi.

"Të Blertët", që në parim mbështesin idenë e një vendi të përbashkët evropian në KS, në fakt qendrojnë mbas kandidatit të tyre kryesor, ministrit të jashtëm, Joshka Fisher. Për liberalët vendi i përhershëm i Gjermanisë në KS, nuk është zgjidhja më e mirë, ndërsa CDU/CSU në programin elektoral konstaton vetëm, se "duhen përmirësuar dukshëm instrumente të rëndësishme të OKB-së". Kandidatura e Gjermanisë për vend të përhershëm në KS në të kundërt lihet në heshtje. Për unionistët shumë më e rëndësishme është ripërtëritja e marrëdhënieve ndëratlantike.

Temë, që nuk përmendet fare tek programi i socialdemokratëve. "Të Blertët" kanë vënë theksin në një temë që ka qenë edhe më parë një nga shkaqet e grindjeve me partnerin e madh të koaliconit, embargon e Bashkimit Evropian ndaj Kinës.

"Nuk ka se si të bëhet politikë sigurie duke i dërguar Kinës eksporte armatimi. Kjo nuk ka për t'i ardhur në ndihmë as Kinës, as të drejtave të njeriut, as Tajvanit dhe as interesave tona të sigurisë."

Mund të thuhet që hapësira që i kushtojnë partitë politikës së sigurisë dhe asaj të jashtme, është e vogël. Kjo pasi me sa duket me të nuk llogariten shumë vota.