1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më në fund buxheti miratohet

Bekim Shehu23 Dhjetor 2006

Parlamenti i Kosovës pas debateve të gjata arrin të miratojë buxhetin për vitin 2007 pa ndërhyrjen e UNMIK-ut. Buxheti për vitin 2007 do të jetë 716 milion euro.

https://p.dw.com/p/Ara8
Parlamenti, Prishtinë
Parlamenti, PrishtinëFotografi: DW

Pas debateve të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës, kosovare rreth çështjes së miratimit të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, më në fund buxheti u miratua. Buxheti për vitin 2007, do të jetë 716 milionë euro. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, pati akuzuar opozitën kosovare se qëllimisht po e përdor çështjen e buxhetit si mjet për rrëzimin e qeverisë, ndërsa, sipas tij, mosmiratimi i buxhetit do të lë pa rroga punonjësit kosovarë qysh më muajin Janar. Ndërkohë përfaqësues të opozitës kanë hedhur poshtë konstatimin e kryeministrit, Agim Çeku.

Në seancën e shkuar, në mungesë kuorumi të nevojshëm të deputëtëve të pranishëm në sallë, nuk arriti që të miratohej buxheti. Në seancën e sotme, serish munguan deputetët e partisë më të madhe opozitare, PDK-së, mirëpo, koalicioni qeveritar kërkojë që të votohet për buxhetin.

Megjithë debatet e ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës buxheti i konsoliduar i Kosovës, për vitin 2007 konsiderohet i miratuar. Përfaqësuesit e koalicionit qeveritar, këtë e cilësojnë si një sukses të parlamentit, për faktin që institucioni më i lartë në vend pa ndihmën e UNMIK-ut, arriti të miratojë buxhetin. Këtë sukses ata e bazojnë në faktin që në rast të mosmiratimit të buxhetit nga ana e parlamentit të Kosovës, është dashur që buxheti të miratohet nga shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, sepse këtë e lejon rezoluta 1244 me të cilën akoma administrohet Kosova.