1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më pak kriminalitet, më tepër krime dhe vepra penale të zbardhura

Marcel Fürstenau8 Maj 2007

MPB gjerman Volfgang Shojble nxori një bilanc pozitiv për vitin 2006. Sipas vlerësimeve të politikanit demokristian, Gjermania vazhdon të jetë një ndër vendet më të sigurta të botës.

https://p.dw.com/p/Aqwh
Fotografi: Bilderbox

6,3 milionë vepra penale regjistroi policia gjermane në vitin 2006. Kjo do të thotë një rënie prej 1,4% në krahasim me vitin 2005. Paralelisht me këtë kuota e zbardhjes së krimeve dhe veprave penale është rritur nga 55% në 55,5%. Në këto shifra bëjnë pjesë vepra të tilla që prej vjedhjes, mashtrimit apo falsifikimit të çeqeve deri tek vrasjet. MPB, Volfgang Shojble ( Wolfgang Schäuble) u shpreh tepër i kënaqur për rënien e numrit të veprave penale të kryera prej të huajve, i cili ishte vetëm 1,3% pra rreth 2,3 milionë raste.

Sipas mendimit të Shojbles kjo lidhet me ligjin e ri për azilin dhe refugjatët si dhe me mundësitë për të hyrë legalisht në Gjermani pas zgjerimit të BE-së drejt lindjes. Kjo ka bërë që numri i veprave që lidhen me shkeljen e ligjit të të hujave apo të kalimit të paligjshëm të kufirit ka shënuar rënie. Gjithësesi sipas tij ky fakt lidhet edhe me një faktor tjetër: "Jam i bindur se ky zhvillim në përgjithësi i gëzueshëm lidhet edhe me përpjekjet e shtuara për integrimin e të huajve, përpjekje që shkojnë nga ato të federatës, të landeve dhe të komunave e deri tek takimi i nivelit të lartë për integrimin apo konferenca për fenë islame."

Mjaft të rëndësishme janë sipas ministrit dhe ekspertëve të MPM masat preventive, fushatat informative, puna sqaruese, bisedat. Sipas ministrit Shojbles këto masa kanë rëndësi thelbësore.

Ministri solli edhe një herë shembullin pozitiv të periudhës së Kampionatit botëror të Futbollit 2006 duke e vënë theksin tek bashkëpunimi mes policisë gjermane dhe asaj të vendeve të tjera, që bënë të mundur parandalimin e përleshjeve mes huliganëve.

Ky bashkëpunim dha frytet e veta edhe këtë vit gjatë ndeshjes së kualifikimit Gjermani-Çeki për kampionatin evropian të futbollit. Bashkëpunimi sipas Schäubles e gjeti shprehjen e vet: "Në këmbimin e informacioneve, të të dhënave, në mundësinë për të kontrolluar bankat e të dhënave për huliganët etj. Si e efekteshme masë preventive ishte edhe bashkëpunimi mes policive gjatë kontrolleve kufitare."

Nisur prej statistikave në Gjermani konstatohet edhe një zhvillim i pakënaqshëm, shtimi i kriminalitetit në radhët e të rinjve dhe adoleshentëve. Kështu p.sh. numri i rasteve të plagosjeve të lehta trupore ka shënuar respektivisht një rritje prej 2,7% dhe 4,6%.

Në këtë drejtim MPB kërkon që të mos nxirren përfundime të nxituara, sepse sipas tij këto shifra "lidhen ndoshta edhe me gatishmërinë e madhe në radhët e popullsisë për të denoncuar në polici çdo lloj delikti që ka të bëjë me plagosjen trupore. Dhe në këtë rast ato edhe regjistrohen në statistika."

Parë nga këndvështrimi afatgjatë sukseset më të mëdha policia i regjistron në drejtim të vjedhjes së automobilëve dhe të banesave.

Në vitin 1993 në Gjermani janë regjistruar 214.000 makina të vjedhura, kurse gjatë vitit të kaluar vetëm 42 000. Po ashtu në të njëjtën periudhë është përgjysmuar edhe numri i vjedhjeve të banesave. Këto zhvillime lidhen nga njëra anë me masat parandaluese të marra nga policia dhe organet e rendit dhe nga ana tjetër edhe me zhvillimin teknik, si zhvillimi i sistemeve të alarmit për mbrojtjen e makinave dhe të banesave.