1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë fonde për realizimin e projekteve për të zhvendosurit në Kosovë

Bekim Shehu11 Shtator 2006

Ministri i vetëm serb në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq, kërkoi ndihmë financiare nga faktori ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës për realizimin e projekteve për kthimin e serbëve të zhvendosur

https://p.dw.com/p/Arci
Një nënë serbe në Kosovë
Një nënë serbe në KosovëFotografi: dpa

Ministri serb në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq, tha se në Kosovë janë krijuar të gjitha kushtet për kthimin e serbëve të zhvendosur. Liria e lëvizjes sipas tij është përmirësuar dukshëm, ndërsa, kërkoi mbështetje financiare nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe qeveria e Kosovës për të përfunduar procesin e kthimit të serbëve gjatë vitit 2007.

Këto komente, ministri i vetëm serb në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq, i bëri në një konferencë për media, duke thënë se, mbështetja financiare që ishte për vitin 2006, ka bërë që të gjitha projektet e ministrisë për kthim të realizohen apo të jenë në
përfundim.

Sllavisha Petkoviq tha se, ministria për komunitete dhe kthim akoma nuk i ka të gjitha përgjegjësitë. Kjo pritet të ndodhë gjatë vitit 2007 dhe atëherë shpreson se procedurat e implementimit të planeve do të thjeshtësohen dhe në këtë mënyrë do të realizohen të gjitha projektet për kthimin e të zhvendosurve. Për vitin e ardhshëm kemi planifikuar projekte që do të kushtojnë afro 22 milionë euro, nëse kjo nuk ndodh atëherë ne do të jemi në një situatë të vështirë, kur
duhet të mendojmë të ndajmë projektet me më shumë prioritet, tha Sllavisha Petkoviq.

Procesi i kthimit të personave të zhvendosur nga Kosova, është i ndarë nga procesi i decentralizimit, por edhe ai bën pjesë në
procesin e standardeve prioritare për Kosovën. Vështirësitë në procesin e kthimit tashmë nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektin financiar, mirëpo edhe me integrimin e pakicës serbe në shoqërinë kosovare.

Në konferencën e mbajtur në Prishtinë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues serb të shoqërisë civile nga Serbia thanë se rruga e vetme për ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë është përfshirja aktive e të gjitha komuniteteve në këtë proces. U theksua fakti që serbët e Kosovës duhet ta njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë, të mos shikojnë nga Beogradi dhe në këtë mënyrë integrimi i pakicës serbe në shoqërinë kosovare do ta bënte më të lehtë kthimin e serbëve që gjenden akoma jashtë Kosovës.