1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë siguri për aeroportet gjermane

9 Dhjetor 2010

Dy paketa nga Jemeni me pajisje funksionale shpërthyese u zbuluan në fund të tetorit. Shtabi i punës për sigurinë e ngarkesave prezantoi propozimet se si mund të zbulohen më mirë dhe më herët ngarkesat e rrezikshme.

https://p.dw.com/p/QTfC
Policë gjermanë në aeroportin e Frankfurtit
Policë gjermanë në aeroportin e FrankfurtitFotografi: AP

Masat e reja do t'ia vështirësojnë punën terroristëve

Pamje nga aeroporti i Düsseldorfit
Pamje nga aeroporti i Düsseldorfit

Të gjithë ata që fluturojnë me avion i nënshtrohen shpesh kontrolleve të përpikta që ndërmirren si masë parandalimi e sulmeve terroriste në komunikacionin ajror. Nga ana tjetër ngarkesat ajrore kontrollohen më pak. Dhe Klaus-Dietrich Fritsche, sekretar shtetëror në Ministrinë e Brendshme duke marrë shembull paketat e zbuluara në aeroportin e Jemenit thotë se:

"Kjo ngjarje ka treguar qartë që terroristët kërkojnë në mënyrë specifike boshllëqe në sistemin e sigurisë ajrore për t'i keqpërdoruar ato për qëllimet e tyre."

Prandaj nën drejtimin e zotit Fritsche një grup i punës nga disa ministri dhe zyra për çështje të sigurisë kanë përpunuar masat të cilat do t'ia vështirësojnë punën terroristëve në të ardhmen . Po ashtu pjesëmarrës në takime kanë qenë edhe përfaqësues të sektorit të transportit për shkak se shkëmbimi ndërkombëtar i mallërave nuk duhet të pengohet më shumë se aq sa është nevoja nga masat e sigurisë.


Krahasimi i të dhënave elektronike në nivel të BE-së

Dossierbild Jemen Paketbomben Pakete Terrorismus Luftfracht Bild 3
Transporti i ngarkesave mbetet problematik.Fotografi: AP

Ngjarja me paketat bomba ka treguar të paktën që autoritetet e sigurisë kanë qenë aktive. Falë shkëmbimit ndërkombëtar të informatave ngarkesat e rrezikshme u zbuluan para se ato të arrinin objektivin e tyre - organizatat hebraike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Analiza e riskut të ngarkesave ajrore duhet të përmirësohet edhe më tej ndër të tjera përmes marrëveshjes së vendosur tashmë për krahasimin e të dhënave elektronike në nivel të Bashkimit Evropian, sqaroi Fritsche.

"Përmes këtij përmirësimi të analizës së riskut në sfondin e gjendjes aktuale të kërcënimit në fushën e transportit ajror duhet të filtrohen më herët dhe më mirë se sa deri tani dërgesat e rrezikshme."

Policia federale gjermane pajiset me kompetenca shtesë

Polic gjerman në aeroportin e Hamburgut(17.11.10)
Polic gjerman në aeroportin e Hamburgut(17.11.10)Fotografi: dapd

Edhe më tej do të përcillet se si bëhet inspektimi i i ngarkesave ajrore në shtetet e tjera. Nga të dhënat e mbledhura do të përpilohet një listë me aeroportet më të pasigurta të vendeve të treta. Për transportet nga këto aeroprte do të vlejnë pastaj masa shtesë të sigurisë, në rast nevoje edhe ndalimi i plotë i fluturimeve. Policia Federale e cila deri tani ka qenë përgjegjëse vetëm për kontrollin e udhëtarve dhe bagazhit të tyre në të ardhmen do të kontrollojë edhe ngarkesat ajrore. Dhe ajo do të vlerësojë edhe standardet e sigurisë në shtetet e treta.

"Kjo është një kompetencë shtesë e cila i është dhënë policisë federale e cila nuk ekzistonte deri tani në këtë lloj dhe formë."

Për këto detyra të reja policia federale jo vetëm që nuk do të preket nga shkurtimet e planifikuara në buxhetin e qeverisë gjermane për vitin 2011 por ajo do të hapë edhe 450 vende shtesë të punës.

Autor: Peter Stützle / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani