1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Manovër e SHBA-së dhe Koresë së Jugut - Kina për bisedime të reja gjashtëpalëshe

29 Nëntor 2010

Nën kërcënimet e reja nga Koreja e Veriut Koreja e Jugut dhe SHBA nisën të dielën (28.11) një manovër ushtarake në detin e Verdhë. Kina ndërkaq propozoi bisedime krize me ndërmjetësim në nivel multilateral.

https://p.dw.com/p/QKWU
Aeroplanmbajtësja e SHBA-së George WashingtonFotografi: AP

Në orën 6 të mëngjesit sipas orës lokale nisi në detin e Verdhë një manovër e përbashkët e njësive koreano-jugore dhe atyre amerikane nga SHBA-ja. Disa orë më vonë në ishullin koreano-jugor Yeonpyeong, që u sulmua të martën (23.11.), u dëgjua sërish zjarr artilerie. Atyre pak banorëve që kanë mbetur dhe një sërë gazetarëve iu bë thirrje të strehohen në bunkerë. Siç u konstatua më vonë, zhurma e dëgjuar vinte nga një manovër në territorin koreano-verior, çka nuk përbënte rrezik për Korenë e Jugut.

Në manovrën detare, rreth 150 km në jug të kufirit të diskutueshëm detar midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, deri të mërkurën (01.12) krahas aeroplanmbajtëses amerikane George Washington do të marrin pjesë edhe disa destrojerë, fregata dhe avionë kundër nëndetëseve. Zëdhënësi i shtabit të përgjithshëm koerano-jugor deklaroi: „Qëllimi i kësaj manovre është, që të forcojmë efektin e frikës ndaj Koresë së Veriut. Ne duam të përmirësojmë edhe sigurinë në territorin tonë dhe të thellojmë bashkëpunimin mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së. Synohet që të demonstrohet vendosmëria e aleancës mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut."

NO FLASH US Helikopter
Fotografi: picture alliance/dpa

Gjenerali Sharp: Sulmi koerano-verior shkelje e qartë e marrëveshjes së armëpushimit midis dy Koreve

Koreja e Veriut në mënyrë të përsëritur ka paralajmëruar, që çdo shkelje e sovrantetit koreano-verior ose e dinjitetit të vendit do të shkaktojë një breshëri të pamëshirshme granatash ndaj Koresë së Jugut. Të martën Koreja e Veriut sulmoi papritur me artileri një ishull koreano-jugor. Sulmi u kushtoi jetën dy civilëve dhe dy ushtarëve. Dëmi ndaj ishullit Yeonpyeong vlerësohet me 3,3 milionë Euro.

Manovra, që nisi të dielën, zhvillohet mjaft larg këtij ishulli, ndaj Koreja e Veriut nuk duhet ta ndiejë veten të provokuar. Rreth 28 500 ushtarë të SHBA-së janë dislokuar në Korenë e Jugut. Komandanti suprem i tyre, Gjenerali Sharp, duke vizituar ishullin bëri të qartë, se: „Në bazë të informacioneve, që kam marrë dhe në sfondin e asaj, që unë mund të shoh këtu fizikisht, Koreja e Veriut e ka sulmuar këtë ishull. Kjo është shkelje e qartë e marrëveshjes së armëpushimit."

Qysh pas fundit të luftës së Koresë në vitin 1953 midis dy shteteve koreane të armiqësuara ekziston vetëm një marrëveshje armëpushimi.

Kina për një raund të ri të bisedimeve gjashtë palëshe

Korea / Südkorea / Nordkorea / Angriff
Fotografi: AP

Ndërkaq Republika Popullore e Kinës ka deklaruar, se në dhjetor do të ftojë për një raund të ri të bisedimeve gjashtë palëshe për krizën në sfondin e gjendjes aktuale. Krejt papritur këshilltari shtetëror kinez për marrëdhëniet me jashtë, Dai Bingguo, vizitoi të dielën Seulin. Në përfundim të takimit një zëdhënës i presidentit koreano-jugor Lee Myung Bak deklaroi: „Pala kineze shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore, kur Koreja e Veriut sulmoi ishullin Yeonpyeong. U theksua vullneti për të bashkëpunuar me Korenë e Jugut për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të vendosur paqen midis dy shteteve koreane."

Dy orë bisedoi këshilltari kinez i shtetit me presidentin Lee Myung Bak, i cili siç njofthet ka theksuar, se Koreja e Jugut do të reagojë me vendosmëri në rast të një provokimi tjetër koreano-verior. Nga zyra presidenciale qysh tani bëhet me dije, se bisedimet e krizës nuk presupozojnë rifillimin e shpejtë të bisedimeve zyrtare të raundit gjashtëpalësh lidhur me çarmatimin atomik të gadishullit korean.

Autor: Peter Kujath / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Esat Ahmeti