1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Ish-ministrja dënohet me 6 vite burg

8 Tetor 2018

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska u dënua me 6 vjet burgim për shpërdorim të detyrës në aferën e njohur me emrin "Tanku".

https://p.dw.com/p/36AkZ
Symbolbild Justiz Richter Gericht Richterhammer
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Gjykata Penale e Shkupit e shpalli fajtore ish-ministren e Brendëshme Gordana Jankullovska për shkelje të procedurës së blerjes së një makine të blinduar për ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski në vlerë prej 600 mijë eurosh.

Skandali është zbuluar nga afera e përgjimeve që u publikua nga opozita në shkurt të vitit 2015, ndërsa rasti është proceduar nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë, e cila është themeluar për hetimin e shpërdorimeve të qeverisë së kaluar. Gjykatësja Dobrilla Kacarska tha, se makina është blerë nga Ministria e Brendshme, por nga dëshmitë e siguruara ka rezultuar se në fakt ajo është blerë për ish-kryeministrin Gruevski. Gjykatësja tha se aspektet teknike të tenderit kanë favorizuar një kompani, ndërsa janë kërkuar edhe kushte të tjera të posaçme, me çka është përjashtuar mundësia e subjekteve të tjera për të marrë pjesë në tender. Kacarska tha se nuk ka marrë vendim duke gjykuar blerjen ose nevojën për makinën, por mënyrën e paligjshme të blerjes. Sipas saj, Jankullovska ka dëmtuar buxhetin e shtetit me vetëdije.

Gordana Jankulovska Innenministerin Mazedoniens
Gordana JankullovskaFotografi: DW

"Është nder të jesh bartës i funksionit ministër i Brendshëm, por është edhe përgjegjësi prandaj ata duhet të kujdesen për interesin e popullit i cili i zgjedh. Qytetarët duhet ta dinë se si harxhohen paratë e tyre dhe askush nuk guxon t'ua nënçmojë atyre inteligjencën", ka thënë Kacarska gjatë publikimit të vendimit.

Prokurorja Fatime Fetai kërkoi nga gjykata që t'ia marrë Gordana Jankullovskës pasaportën dhe ta obligojë që të paraqitet rregullisht në gjykatë. Kjo për shkak se vlerëson se tashmë është rritur rreziku nga arratisja e saj. Fetai tha se ka ndodhur rasti kur gjatë procedurës së ankimimit janë arratisur dy të dënuar, prandaj kërkoi që të sigurohet se ajo nuk do të ikë. Fetai tha se nuk kërkon paraburgim vetëm, sepse e dënuara ka një foshnje që nuk është fajtore për veprimet e nënës. Avokatja e Jankullovskës Sanja Aleksiç ndërkohë siguroi se Jankullovska nuk do të ikë pasi e ka ditur se çfarë rrezikon në këtë rast, dhe ka qenë e pranishme gjatë gjithë procedurës gjyqësore.

Gjykimi për Jankulloskën filloi në fund të muajit gusht të 2018, pasi e pandehura kishte lindur. Ajo gjykohet veçanërisht pasi Gjykata e pranoi kërkesën e avokatëve për pushim mjekësor për shkak të shtatzënisë së saj. Për rastin "Tanku" me dy vite burgim është dënuar edhe ish- kryeministri Nikolla Gruevski ndërsa me katër vjet e gjysmë ish- zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme Gjoko Popovski.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut