1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni - Kosovë: Marrëdhënie në nivel të lartë

Fatos Musliu19 Shtator 2006

Marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Kosovës në të gjitha fushat janë në nivel të lartë dhe ky bashkëpunim i sukseshëm ka tendencë për zhvillimi edhe më të hovshëm edhe në të ardhmen. Ishte ky konstatim i përbashkët nga takimi i kryeministrave të Maqedonisë dhe Kosovës, Nikolla Gruevski dhe Agim Çeku që u realizua në Shkup

https://p.dw.com/p/ArcV
Shkupi
ShkupiFotografi: DW

Në interes të të dyja vendeve është intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik i cili po shkon në kahjen e duhur por ekziston hapësirë që i njëjti të arrijë rezultate edhe më të mira. Projektet e përbashkëta në fushën e transportit, infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit paraqesin pika të përbashkëta për të dyja vendet, kanë vlerësuar kryeministrat Gruevski dhe Çeku.

Periudha në të cilën gjendet Kosova është tejet e rëndësishme, meqë pritet zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës, ka theksuar Gruevski. Është në të mirë që ky proces të përfundojë ashtu edhe siç ka filluar në mënyrë të qetë dhe demokratike. Kjo do të jetë në të mirë edhe për tërheqjen e investuesve të jashtëm që me kapitalin e tyre të jenë prezent në rajon.

" Maqedonia me kujdes po e ndjek këtë proces, në mënyrë aktive participon me sugjerime dhe mendime. Për ne do të jetë e pranueshme ajo zgjidhje e cila do të arrihet me faktorin ndërkombëtar dhe do të jetë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Në këtë proces ne jemi të interesuar që të mbrohen interesat e Maqedonisë, që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë," ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Gjithnjë sipas Gruevskit, nga Çeku janë marrë premtime se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do të paraqet kërcënim ndaj Maqedonisë.

Kryeministri Çeku tha se po bëhen angazhime maksimale për ndërtimin e një Kosove si shtet demokratik, modern, multietnik, stabil dhe ekonomikisht të qëndrueshëm. "Në veçanti një vend i cili do të çmojë, përkrahë dhe aplikojë vlerat bashkëkohore të mbrojtjes të të drejtave të njeriut në radhë të parë, ato të mbrojtjes të të drejtave të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë," ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.

Kryeministrat Gruevski dhe Çeku e kanë vlerësuar demarkacionin e kufirit si çështje teknik,e e cila nuk duhet të problematizohet dhe që duhet të zgjidhet paralelisht me zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Kryeministri Gruevski ka kërkuar nga homologu i tij Çeku që të bëhet diç më tepër për Goranët që jetojnë në Kosovë gjegjësisht që tu sigurohet atyre mësim në gjuhë amtare.

Në Shkup takim kokë më kokë kanë zhvilluar edhe nënkryetarët e Qeverisë së Maqedonisë dhe Kosovës Ymer Selmani dhe Lytfi Haziri. "Maqedonia i ofron Kosovës në të ardhmen të llogaritë edhe në ekspertizën dhe në institucionet që mund të japin kontributin e vet në ndërtimin e institucioneve dhe plotësimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve në Kosovë- ka deklaruar nënkryetari i Qeverise se Maqedonisë", Ymer Selmani.

Nënkryetari i Qeverisë të Kosovës Lytfi Haziri vlerëson: "Statusi i Kosovës do të finalizohet për disa muaj, Kosova dhe Maqedonia do të vazhdojnë me forma të ndryshme të bashkëpunimit që është në interes të dyanshëm, në mënyrë që vendet tona ti arrijnë objektivat që i kanë para vehtes."

Delegacioni i Kosovës është takuar edhe me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni.