1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëdhënie e ndërmjetme për vendet që presin të hyjnë në BE

Elert Ajazaj17 Mars 2006

Me miratimin dje me shumicë të madhe votash të raportit të kryetarit të komisionit për çështje të jashtme, Elmar Brok, Parlamenti Evropian dha një sinjal të qartë. Mos po kthehet parlamenti nga mbështetës i anëtarësimit të vendeve të tjera në frenues?

https://p.dw.com/p/ArBk
Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Strasburg
Ndërtesa e Parlamentit Evropian në StrasburgFotografi: presse

Mjafton një vështrim mbi hartën e Evropës dhe një gjë bëhet e qartë. Hapësira ballkanike së cilës i drejtohet në radhë të parë propozimi i fundit i Parlamentit Evropian është një masë e ndryshueshme. Me referendumin e afërt për pavarësi të Malit të Zi dhe një status ende të papërcaktuar për Kosovën, harta politike e rajonit përmban pikëpyetje. Kryetari i komisionit për çështje të jashtme në parlament, konservatori gjerman, Elmar Brok mbi vlefshmërinë e kufijve të Kosovës: "Besoj se këtu duhet të krijojmë hapësirë manovrimi për negociatat; por në të njëjtën kohë është e vështirë të ndryshosh kufijtë. Në rastin e Kosovës, nëse ajo bëhet e pavarur, duhet të gjejnë zbatim të drejta të caktuara, të qarta për pakicat si dhe të merren parasysh në marrëveshje të veçanta marrëdhëniet historike, kulturore dhe fetare të serbëve me këtë rajon."

Nuk të çudit fakti që parlamentarët evropianë mbajnë distancë nga ky rajon i paqëndrueshëm. Megjithatë statusi që i ofrojnë ata pjesës së Ballkanit Perëndimor pa Kroacinë ka anë të mira dhe nuk duhet të jetë i përhershëm:

"Kjo varet nga Bashkimi Evropian dhe nga vendi përkatës. Ne e kemi ushtruar një herë në rastin e hapësirës ekonomike evropiane dhe të shteteve të EFTA-s. Disa vende si Suedia, Austria dhe Finlanda hynë në Bashkimin Evropian dhe të tjera si Norvegjia mbetën jashtë; dhe ky ishte vendimi i tyre - e njëjta gjë vlen edhe në këtë rast."

Ballkani, pra në një treg të përbashkët me Bashkimin Evropian. Për çastin Evropa nuk ka më shumë rezerva absorbuese. Në një kohë kur referendumet në Francë dhe Holandë iu përgjigjën me Jo kushtetutës evropiane Parlamenti Evropian sheh nevojën e aftësimit të Bashkimit Evropian për zgjerime të mëtejshme. Nga Komisioni Evropian ai kërkon një përgjigje të qartë mbi kufijtë gjeografikë të Evropës dhe për çastin i përkufizon ata vetë kështu - sërish Elmar Brok:

"Kufijtë e Bashkimit Evropian kalojnë atje ku përfundon aftësia pranuese e Bashkimit Evropian; sa i aftë është ky të zgjerohet pa pësuar dëme si projekt politik - dhe kjo varet për shembull edhe nga përparimi i procesit të kushtetutës. Çështja e aftësisë pranuese të Bashkimit Evropian është njëri prej kritereve që vlejnë për të gjithë; por ne themi shprehimisht se ky raport nuk do të thotë tërheqje e premtimeve për perspektivë anëtarësimi dhënë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Selanik."

E ndoshta ky stad i ndërmjetëm është më me vend për Ballkanin. Anëtarësimi i plotë vlerësohet të jetë 10-15 vjet larg.