1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja e çarmatimit në Evropë

Alexander Freund27 Prill 2007

Pajisje të rënda artilerie, tanke, avionë luftarakë - Pas rënies së perdes së hekurt është marrëveshja për forcat e armatosura konvencionale në Evropë (KSE) që rregullon raportet ushtarake nga Atlantiku deri në Urale.

https://p.dw.com/p/ArIo
Fushatë e Amnesty International kundër armëve
Fushatë e Amnesty International kundër armëveFotografi: AP

Detyrimet për çarmatimin të përcaktuara në këtë marrëveshje në vitin 1990 janë përmbushur prej kohësh nga të dyja palët. Megjithatë presidenti rus, Vladimir Putin, do ta pezullojë këtë marrëveshje, në shenjë protetste ndaj politikës së Perëndimit.

"Marrëveshja për forcat e armatosura konvencionale në Evropë" me të drejtë konsiderohet si një gur themeltar në historinë e politikës së çarmatimit. Falë kësaj marrëveshjeje janë nxjerrë jashtë përdorimit ose janë asgjësuar mijra tanke, pajisje të artilerisë së rëndë dhe avionë luftarakë. Vetëm në vitin 1995 janë demontuar mbi 60.000 sisteme armësh.

Në formën fillestare kjo marrëveshje parashikonte në radhë të parë që të pengonte sulmet e befasishme si dhe ofensivat e mëdha ushtarake midis dy blloqeve. Por marrëveshja e forcave të armatosura akonvencionale rrjedh prej dy aleancave ushtarake rivalizuese me njëra-tjetrën, e kësisoj ajo shndërrohet në problem. Kjo sepse pas rënies së Bashkimit Sovjetik u krijuan shtete të reja dhe shumë ish-antarë të Traktatit të Varshavës tani synojnë antarësimin në NATO dhe në BE. Si rrjedhojë kjo marrëveshje duhej t´u përshtatej rrethanave të reja që janë krijuar.

Rregullat që kishin të bënin me blloqet e dikurshme ushtarake janë zëvendësuar përmes një sistemi të kapaciteteve kombëtare dhe territoriale. Rusia fillimisht e kishte të vështirë që ta pranonte këtë rregull, por më pas ajo u tërhoq, pasi Polonia, Çekia dhe Hungaria miratuan reduktimin e mëtejshëm të kapaciteteve kombëtare dhe pasi Moska u lejua të rrisë numrin e tankeve në krahun e vet.

Në vjeshtën e vitit 1999 më shumë se 30 shtetet pjesëmarrëse në marrëveshjen e forcave të armatosura konvencionale në Evropë ranë dakord në Stamboll që ta modernizojnë këtë marrëveshje. Por deri më sot ende nuk ka hyrë në fuqi marrëveshja e re, që parashikon asgjësimin e mëtejshëm të tankeve, artilerive dhe të helikopterëve luftarakë. Ndryshe nga Rusia, që e ka ratifikuar përpara tre vjetësh marrëveshjen e përshtatjes, edhe sot e kësaj dite shtetet e NATO-s ngurrojnë ta hedhin këtë hap. ShBA dhe aleatët e tyre duan të presin derisa Rusia, ashtu siç është rënë dakord, të tërheqë ushtarët e vet nga Republika e Moldavisë dhe e nga Gjerogjia.