1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja START në rrugë drejt ratifikimit

22 Dhjetor 2010

Me 67 vota pro dhe 28 kundër senati në SHBA vendosi të martën pasdite (21.12) ta mbyllë debatin për Marrëveshjen e Çarmatimit Bërthamor. Shtëpia e Bardhë e konsideron këtë si një vendim paraprak për miratimin me 22.12.

https://p.dw.com/p/zoJ1
Mbyllen debatet në senat.Fotografi: AP

Fronti i republikanëve kundër Marrëveshjes START po shpërbëhet, duket që presioni për miratimin e Marrëveshjes së Çarmatimit është mjaft i madh. Të gjithë ish-ministrat e jashtëm republikanë që jetojnë, ministri i Mbrojtjes Robert Gates dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Mike Mullen, janë shprehur për ratifikimin e Marrëveshjes së Çarmatimit deri në fund të vitit. Në takimin e NATO-s në Lisbonë një sërë kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve evropiane që nga Lituania e deri tek Norvegjia, Danimarka, Hungaria dhe Bullgaria u angazhuan për Marrëveshjen e Çarmatimit. Edhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel deklaroi në Lisbonë, se shpreson që së shpejti të miratohet Marrëveshja START.

Obama i jep prioritet kësaj teme

Obama / USA / Steuern
Barack Obama është dakord.Fotografi: AP

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama të shtunën e kaluar (18.12) Marrëveshjen START e kishte një nga temat e fjalimit të përjavshëm radiofonik dhe vuri në pah rreziqet nëse ajo nuk ekziston.

"Pa këtë marrëveshje ne rrezikojmë përparimet që kemi arritur në marrëdhëniet me Rusinë. Këto përparime janë thelbësore, për të zbatuar sanksionet kundër Iranit, për të siguruar prej terroristëve lëndët bërthamore dhe për të furnizuar trupat në Afganistan", tha ai.

Por senatorët republikanë nuk duan të nxitohen dhe ngurronin ta merrnin vendimin në përbërjen e vjetër të senatit, ku nëntë votat e republikanëve do të mjaftonin për të pasur shumicën. (Senati duhet ta miratojë marrëveshjen me shumicën e një të tretave, në rast se të gjithë 100 senatorët janë të pranishëm) Duke nisur nga janari janë të nevojshme 14 vota të republikanëve, sepse në zgjedhjet për Kongresin në nëntor ata fituan bindshëm dhe kësisoj mund të kenë edhe më shumë vende në senat.

Rezervat e republikanëve

Tschechien USA Russland Obama und Medwedew Unterzeichnung START-Abkommen Flash-Galerie
Obama dhe Medvedev janë darkoduar me 8. prill 2010.Fotografi: AP

Rezervat e tyre janë përmbajtësore, kryesisht, sepse marrëveshja e kufizon SHBA-në në ndërtimin e sistemit të mbrotjjes nga raketat. Por ndryshimi që ata kërkojnë në projektmarrëveshje presupozon që qeveritë duhet të negociojnë sërish. Këtë rusët e përjashtojnë në mënyrë kategorike.

Në një seancë të fshehtë që zgjati tri orë të hënën (20.12) me sa duket demokratët ia kanë dalë që të bëjnë për vete disa senatorë republikanë. Ndërkohë janë dhjetë senatore dhe senatorë republikanë, të cilët kanë deklaruar, se duan të votojnë për marrëveshjen. Në këtë mënyrë qeveria e Obamës siguron numrin e nevojshëm të votave për ratifikimin e marrëveshjes, të cilën duhet ta miratojë edhe duma ruse. Ky do të ishte një sukses i rëndësishëm në politikën e jashtme për presidentin e SHBA-së.

Marrëveshja START u nënshkrua më 8 prill nga Barack Obama dhe kolegu i tij rus Dimitri Medvedev. Kjo marrëveshje parashikon për secilën palë posedimin maksimalisht të 1550 kapsulave atomike shpërthyese. Numri i sistemeve mbajtëse, raketa - nëndetëse dhe aeroplanë, përcaktohet në 800 për secilin vend.

Autor: Christina Bergmann/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Bahri Cani