1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshje ndërkombëtare për rregullimin e tregtisë së armëve

Mirjam Gehrke4 Prill 2013

Marrëveshja kufizon eksportin e armëve dhe parashikon ngritjen e sistemeve të kontrollit, por le edhe shtigje hapur.

https://p.dw.com/p/188vz
Fotografi: imago stock&people

Një "fitore për popujt e botës," e quajti Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, një "moment historik në përpjekjet globale në lidhje me kontrollin e armëve dhe sigurinë", e quajti ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle. Dhe një "arritje e vërtetë historike", tha eksperti i mbrojtjes i Amnesty International, Matthias John, në intervistë me DW.

Miratimi i marrëveshjes së parë ndërkombëtare për rregullimin e tregtisë së armëve është me të vërtetë një vendim historik i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: nga pistoletat deri te tanket do t'u nënshtrohen rregullave strikte të tregtisë së armëve konvencionale. Dy herë më parë negociatat kishin dështuar nga rezistenca e vendeve të tilla si Koreja e Veriut, Siria dhe Irani, por edhe Rusia, Kina dhe SHBA. Gjatë konferencës së OKB-së, ku u hartua kontrata, marrëveshja vetëm mund të vendosej unanimisht, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mjaftonte një shumicë prej dy të tretash.

UN Vertrag Kontrolle Waffenhandel
Fotografi: Pascal Pavani/AFP/Getty Images

Kontroll ndërkombëtar

Marrëveshja ndalon eksportin e armëve në qoftë se prej eksportit dëmtohet ndonjë embargo ose në qoftë se ato mund të përdoren për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Nëse kontrata është tashmë në fuqi, Rusia dhe Irani nuk kanë të drejtë të vazhdojnë ta furnizojnë regjimin sirian. Në disa vende të BE-së është duke menduar me zë të lartë për ta lehtësuar embargon e armëve kundër Sirisë, apo ta shfuqizuar atë krejtësisht, për t'i furnizuar kështu rebelët me armë. Në bazë të marrëveshjes së miratuar edhe kjo do të ishte gjithashtu e ndaluar. Kontrollet mendohet se do të parandalojnë që armët të bien në duart e kryengritësve, terroristëve apo kriminelëve.

Marrëveshja parashikon ngritjen e sistemeve të kontrollit kombëtar që rregullojnë importin dhe eksportin e armëve konvencionale, municioneve dhe pjesëve të armëve. Po ashtu do të kontrollohen edhe tregtarët armëve. Sikur të kishte pasur rregulla të tilla disa vite më parë, pas rënies së Gadafit, diktatorit të Libisë, mund të ketë qenë e lehtë të merrej vesh në çfarë mënyre dhe rrugë kishin rënë në duart e të trupave të Gadafit pushkë automatike gjermane.

Por marrëveshja e miratuar tani nuk e ka provuar ende nëse është efikase. "Ne do të përpiqemi që të rrisim përpjekjet për të siguruar që traktati të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur" tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Nju Jork. Që kjo të ndodhë duhet ta ratifikojë marrëveshjen 50 shtete. Sipas vëzhguesit kjo mund të ndodhë në qershor.

Mbyllja e shtigjeve

"Unë kisha shpresuar se marrëveshja do të përmbante dhe më shumë kufizime," tha zëdhënësi i punëve të jashtme të grupit parlamentar të SPD, Rolf Mützenich, për DW. "Në veçanti, çështja e procesit të licencimit të eksporteve të armëve, e cila është lënë ende në dorë të qeverive kombëtare, si edhe çështja e verifikimeve. Këto janë të gjitha gjëra ku duhej të ishte vënë rregulla më të fuqishme." Edhe eksperti i Amnesty International Matthias John mendon se ka nevojë për përmirësim të mekanizmave të kontrollit.

Waffenhandel
Fotografi: picture-alliance/dpa

Detyrat e Gjermanisë

Dispozitat e marrëveshjes nuk i kufizojnë eksportet gjermane të armëve, sepse rregullat ekzistuese të eksportit, si rregullat e BE-së dhe rregullat kombëtare gjermane shkojnë më tej se marrëveshja e re ndërkombëtare. Megjithatë Matthias John mendon se Gjermania "ka për detyrë t'i forcojë praktikat e eksportit të armëve gjermane  në frymën e kësaj marrëveshjeje."

Gjermania është pas SHBA dhe Rusisë eksportues i tretë më i madh i armëve në botë dhe zë shtatë për qind të tregut botëror.

Klientët më të rëndësishëm të Gjermanisë janë sipas qeverisë federale gjermane, Holanda dhe SHBA, pasuar në vendin e tretë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në vendin e tetë nga Algjeria, të dymbëdhjetin nga Arabia Saudite dhe Egjipti në vendin e 18-të. "Të drejtat e njeriut duhet të merren parasysh shumë më tepër", thotë Matthias John. Në frymën e marrëveshjejes së re nuk duhet të vlejnë më "kritere të tilla famëkeqe si "doktrina e Merkelit", e cila i vë interesat e politikës së jashtme dhe të sigurisë në plan të parë.