1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marshim kundër dhunës ndaj grave në Prishtinë

6 Dhjetor 2023

Dhuna kundër grave përbën “urgjencë kombëtare”, thuhet nga aktivistet e grave në Prishtinë. Vetëm në 10 muajt e fundit, sipas të dhënave të policisë, u raportuan mbi 1700 raste dhune ndaj grave.

https://p.dw.com/p/4ZpQN
Marshim kundër dhunës në Prishtinë
Marshim kundër dhunës në PrishtinëFotografi: Kosova Women's Network

Një javë pas vrasjes së Liridona Ademaj-Murselit një vrasje që tronditi opinionin në Kosovë, mijëra njerëz protestuan të martën në mbrëmje në sheshin kryesor të Prishtinës duke bërë thirrje për ndaljen e dhunës ndaj grave. Liridona Ademaj-Murseli, 30 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, u vra më 29 nëntor në periferi të Prishtinës dhe i dyshuari kryesor, sipas policisë, është bashkëshorti i saj, Naim Murseli, që organizoi vrasjen. Fillimisht, u raportua se Liridona u vra gjatë një grabitjeje në veturë që gjendej me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin. Por më vonë policia arrestoi bashkëshortin e saj, që dyshohet se e organizoi vrasjen, siguroi armën për dorasin dhe i premtoi atij 30 mijë euro shpërblim.

"Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”

Marshimi në Prishtinë me thirrjen "ndal dhunën ndaj grave”, u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Marshuesit mbanin pankarta me mbishkrime: "Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, dhe "Vrasësit e grave në burg”, duke brohoritur, "Drejtësi për Liridonën” dhe "Drejtësi për gratë e vrara”.

"Jemi mbledhur sepse vajzat dhe gratë në Kosovë janë në rrezik. Jemi mbledhur për të treguar edhe një herë se kjo gjendje lufte, që ne si vajza e gra e përjetojmë, duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë. E kjo mund të ndodhë vetëm nëse të gjitha ne bashkohemi në luftën që ne si gra po e bëjmë çdo ditë. Në shtëpi, në punë, në rrugë, në shkollë dhe në shtet", tha Liridona Sijarina, njëra nga organizatoret e marshit.

Konferenca kundër dhunës ndaj grave në Kosovë - grup njerëzish të mbledhur në konferencë
Konferenca kundër dhunës ndaj grave në KosovëFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Dhuna në familje në Kosovë

Vrasja e nënës së dy fëmijëve Liridona Ademaj-Murseli, ndodhi në periudhën e dy javëve të fushatës në Kosovë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Vetëm në 10 muajt e fundit sipas të dhënave të policisë, u raportuan 2.186 raste të dhunës në familje, prej të cilave viktima ishin mbi 1.700 gra. Gjatë vitit 2022, 2.200 raste të dhunës ndaj grave u evidentuan nga policia.

Me moton "të bashkuar kundër dhunës-Mjaft”, në Prishtinë u organizua një konferencë ku mblodhi politikanë, veprimtarë, ekspertë dhe udhëheqës të sistemit të drejtësisë edhe nga rajoni, në përpjekje për të nxitur ndryshimet e nevojshme shoqërore dhe institucionale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar dënim maksimal për të arrestuarit në rastin e Liridona demaj-Murselit, tha se "i tërë sistemi i drejtësisë duhet ta shndërrojë në përparësi trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gruas”. Sipas tij, "dënimet e ulta po nxisin përsëritjen e krimit”.

"Ajo që i duhet shoqërisë e drejtësisë më shumë tani është një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv dhe shumë më efektiv. Pesha e padrejtësive nuk mund të vazhdojë të bie mbi supet e grave e të vajzave, as mbi supet e fëmijëve e të pleqve, as mbi supet e të varfërve e të shtypurve”, tha kryeministri Kurti.

Pamje nga Prishtina
Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

Tradita shekullore e dominimit të burrave

Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës dhe organizatave të Grave të Kosovës, që nga përfundimi i luftës numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë në incidente që lidhën me dhunën në familje është 66. Dhuna në familje, ku në të shumtën e rasteve viktimë është gruaja, është një dukuri e përhapur në Ballkanin Perëndimor. Në një shkrim në Asociated Press, thuhet se rajoni është jashtëzakonisht konservator me një traditë shekullore të dominimit të burrave, por problemet u thelluan edhe pas luftërave të viteve të '90-ta dhe krizave politike dhe ekonomike e sociale. Veprimtarët thonë se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë ligje të duhura kundër dhunës ndaj gruas, por problem mbetet shkalla e ulët e zbatimit të tyre.

Sipas AP, nëpër të gjithë Ballkanin Perëndimor, gratë keqtrajtohen, përdhunohen, rrihen dhe vriten, shpesh nga partnerët e tyre, megjithëse e raportojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre tek autoritetet.  Si kundërpërgjigje, organizatat e grave në rajon kanë organizuar protesta për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të kërkuar të veprohet. Ato kanë themeluar strehimore për gratë dhe kanë hapur linja telefonike për ndihmë. Aktivistët fajësojnë autoritetet që nuk po veprojnë më me vendosmëri për të mbrojtur gratë dhe për të kundërshtuar kulturën e mosndëshkueshmërisë, shkruan AP. Sipas të dhënave nga organizata UN Women, çdo e pesta grua e vrarë në botë, është viktimë e një anëtari të familjes.