1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bosnja analistet

30 Tetor 2011

Analistët mendojnë se akti terrorist i Mevlid Jashareviqit dëshmon për lëshime serioze të agjencive të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë. Pas Bugojnës dhe Sarajevës, nuk mund të flitet për raste të izoluara.

https://p.dw.com/p/131t6
Mbas sulmit mbi Ambasadën amerikane në Sarajevë
Mbas sulmit mbi Ambasadën amerikane në SarajevëFotografi: dapd

Të shtënat nga "kallashi" i Jashareviqit ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë arritën atë që është synim i çdo sulmi terrorist, ngjalljen e frikës. Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, Vlado Azinoviq thotë se sulmi i Jashareviqit ndaj Ambasadës amerikane në Sarajevë nuk është i rastësishëm. "Çdo sulm terrorist planifikohet, duke përfshirë edhe këtë në Sarajevë. Kjo nënkupton indoktrinimin ideologjik, trajnimin dhe logjistikën", thotë Azinoviq.

"Dosja kriminale e Mevlid Jashareviqit, konfirmon profilin e deritanishëm të terroristëve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ata janë zakonisht persona nga një mjedis kriminologjik, të cilët në një moment të caktuar pranojnë ideologjinë brenda një grupi, i cili u ofron justifikimin për sjelljen e tyre kriminale", sqaron Azinoviq.  Ai thekson se agjencitë për zbatimin e ligjit duhet të merren më fund  me qendrat nga të cilat financohen këto grupe dhe frymëzohen për aksione terroriste. Por me sa duket, paralajmëron Azinoviq, agjencitë e lartpërmendura kanë bërë lëshime në këtë rast.

Siguria e qytetarëve më shumë i është lënë fatit

Si është e mundur që një person me dosje kriminale, i cili ka sulmuar vitin e kaluar në Novi Pazar ambasadorët e huaj dhe të për cilin dihet se ka qëndruar edhe në Maoçën e Epërme, në pikë të ditës sulmon ambasadën amerikane në kryeqytetin e një vendi?

"Kam frikë se siguria e shtetasve tanë është lënë më shumë në mëshirën e fatit se sa përpjekjeve të vetëdijshme të agjencive përgjegjëse. Ky është problem i mosfunksionimit të shtetit dhe sjelljes së papërgjegjshme të elitës politike, e cila në pozitat me përgjegjësi nuk vendos ekspertë por ushtrues të detyrave politike", thekson Azinoviq.  

Për lëshime të organeve përgjegjëse flet edhe gazetari i gazetës "Oslobogjenja", Esad Heqimoviq. Ai kujton se vitin e kaluar në Bosnjë dhe Hercegovinë është vendosur struktura e sigurisë e agjencive të ndryshme, "e cila ka kuptim vetëm nëse në terren ndërmerr veprime parandaluese". Informacionet nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia tregojnë se sulmuesi është identifikuar disa herë si person që përbën kërcënim për sigurinë në këto dy vende. Nëse konfirmohet në një hetim zyrtar, se agjencitë e sigurisë kanë dështuar në punën e tyre për të penguar ose parandaluar sulmin e një personi të identifikuar si një kërcënim, atëherë kjo do të duhej të kishte pasoja në personel si dhe pasoja organizative dhe konceptuale", vlerëson Heqimoviq.

Prioritet është depolitizimi i ministrive përkatëse dhe agjencive

Adresa e parë në drejtim të së cilës Heqimoviqi lëshon kritika është Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurimit (OSA). Agjencitë e sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk kanë arritur që as pas sulmit të Bugojnës të njohin trendin e "sulmuesve të veçuar" dhe nuk kanë arritur të gjejnë një model për të penguar dhe parandaluar sulme të tilla. "Shërbimet tona të sigurisë, pavarësisht nga përkatësia etnike apo rajonin ku veprojnë ato, duhet të jenë jopolitike dhe profesionale, të përkushtuara për eliminimin e rrezikut për popullatën", thotë Heqimoviq.

Pas sulmit në ambasadën amerikane u bë e qartë se Bosnjë dhe Hercegovina ka një problem që përbën rrezik për sigurinë. Analistët thonë se, në vend të njerëzve të privilegjuar politikisht, në pozitat përgjegjëse në ministritë dhe agjencitë përkatëse duhet të vendosen ekspertët e kësaj fushe.

Autor: Samir Huseinoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama