1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi 2 mijë raste të rënda të pazgjidhura

Bekim Shehu13 Prill 2007

Misioni i OSBE-së, në Kosovë në një raport monitorimi konstaton se në Kosovë sistemi i drejtësisë akoma nuk ka arritur nivelin e dëshiruar dhe jep rekomandimet e tij

https://p.dw.com/p/ArWZ
OSBE-ja, Prishtinë
OSBE-ja, PrishtinëFotografi: DW

Zyrtarë të OSBE-së janë shprehur se, në Kosovë ka nevojë për drejtësi administrative efektive dhe konstatojnë se që nga viti 1999, rezultatet në këtë drejtim kanë qenë jo të kënaqshme. Sfidat ndaj sistemit funksional të drejtësisë administrative duhen përballuar sepse kjo do të ndihmojë në mbrojtjen e të drejtave individuale dhe sundimin e ligjit. Në këtë përfundim vjen raporti i fundit i OSBE-së, mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Raporti i adresohet më shumë organeve ekzekutive, ku thuhet se, veprimet apo mosveprimet e qeverisë si vënia e tatimeve, shpronësimeve, dhënia apo refuzimi i licencave, shqiptimi i gjobave ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve të Kosovës.

Zyrtarët e OSBE-së konstatojnë se, ligji administrativ është fushë e rëndësishme, sepse u mundëson qytetarëve të kenë të drejtën e shqyrtimit të veprimeve qeveritare për të cilat ata besojnë se janë të paligjshme ose arbitrare. Në këtë linjë, OSBE-ja, ofron një numër rekomandimesh që u adresohen, jo vetëm autoriteteve gjyqësore dhe administrative, por edhe ligjvënësve në parlamentin e Kosovës.


Së pari, raporti sugjeron ndryshimin e ligjit që Gjykata Supreme të ketë funksionin e Gjykatës së Apelit, e cila do të shqyrtonte ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në gjykatat e shkallës më të ulët, të kërkojë seanca gojore, si dhe të mundësojë masa të përkohshme për parandalimin e dëmtimit gjatë kohës kur rasti është në pritje.

Së dyti, në raport thuhet se vendimet administrative duhet të jenë të arsyetuara mirë dhe të jenë në pajtim me rregullat në fuqi. Raporti gjithashtu, parasheh, një rol për Ministrinë e Shërbimeve Publike në kuadër të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes. Thuhet se duhet të mbahen kurse të detyrueshme, trajnimi, për shërbyesit civil dhe një fushatë publike mbi Ligjin e Procedurës Administrative.

Së treti raporti vë theksin se para se të pranohet një rast për shqyrtim, Gjykata Supreme duhet të vendosë nëse ka juridiksion dhe të sigurojë që pala ankimuese në proces të ketë shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike administrative në dispozicion.

Këto sfida, thuhet në raport synojnë themelimin e një sistemi funksional të ligjit administrativ si pjesë fundamentale e zhvillimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Raporti i OSBE-së, inkurajon autoritetet që të përdorin rekomandimet për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përmirësuar sistemin aktual të ligjit administrativ në Kosovë.

Në raportin e OSBE-së, mbi sistemin e drejtësisë, përmenden edhe trazirat e marsit të vitit 2004, ku thuhet se gjykatat akoma nuk kane arritur te përfundojnë të gjitha rastet.

Në monitorimin e OSBE-së janë përfshirë edhe veprimet e KFOR-it dhe UNMIK-ut në lidhje me të drejtat e njeriut gjatë trazirave të dhunshme të vitit 2004. Në këtë linje vlerësohet puna e autoriteteve ndërkombëtare si KFOR-i dhe UNMIK-u, mirëpo shqetësimi i OSBE-se, është se paneli Iigjyqtarëve për këtë çështje akoma nuk ka filluar të kryejë punën e tij, siç duhet, thotë Asier Satillan, udhëheqës i sektorit për të drejtat e njeriut pranë OSBE-së.

Sidoqoftë, pas largimit të UNMIK-ut nga Kosova, shumë kompetenca do të kalojnë në duar të institucioneve kosovare. Mirëpo, tashmë është e përcaktuar se edhe për një kohë, sistemi i drejtësisë do të mbetet përgjegjësi e rezervuar për misionin e ri të BE-së. Ky mission do të ketë përgjegjësi edhe mbi autoritet e rendit dhe doganat.