1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbikqyrje e rreptë - Sot 50 vjetori i Këshillit të Shtypit në Gjermani

Monika Ditrich20 Nëntor 2006

Ky është organi më i rëndësishëm kontrollues i medieve gjermane. Kjo sepse këshilli i shtypit kujdeset që gazetarët të raportojnë të vërtetën, që ata të mos diskriminojnë njeri, të mos shpifin dhe që ata në kërkimet e tyre të mos përdorin metoda të palejuara.

https://p.dw.com/p/Aqyf
Plenumi i Këshillit gjerman të Shtypit, mars 2006
Plenumi i Këshillit gjerman të Shtypit, mars 2006Fotografi: Leubner

Historia e Këshillit të Shtypit fillon në një lokal të vjetër në Bon. Pesë botues dhe pesë gazetarë ishin ulur atje së bashku në vitin 1956: ata donin të fillonin një protestë kundër një projektligji federal që kishte përgatitur asokohe ministri i bredshëm dhe që parashikonte një kontroll shtetëror ndaj shtypit. Prandaj gazetarët themelojnë të ashtuquajturën "vetëkontrolli me vullnet të lirë" që bazohej në modelin e British Press Council. Gazetarët preferojnë më shumë të kontrollojnë vetë punën e tyre sesa t´ia lenë këtë shtetit.

Dhe kjo funksionon deri më sot: ka shumë raste spektakulare kur Këshilli i Shtypit ka qenë shumë aktiv. Drejtori Lutz Tilman përmend shembuj: "Ka filluar në vitet 50-të kur një prostitutë u vra në Frankfurt, kohë kur debatohej për kufijtë e raportimit të procesit gjyqësor. Ne kemi qenë aktiv edhe në dramën e pengmarrjes në Gladbah në vitin 1988 ose edhe vitet e fundit kur ish-ministri federal i mjedisit Tritin ishte montuar në një fotografi të sajuar. Aty dukej sikur ai ishte pjesëmarrës në një demonstratë të dhunshme, gjë që në fakt nuk ishte e vërtetë. Këto janë shembuj kur Këshilli i Shtypit është aktivizuar publikisht dhe ka pasur efekt të fortë."

Këshilli i Shypit është një organizatë e shoqatave të mëdha të gazetave dhe gazetarëve. Detyra e tij është të kujdeset të ruajë prestigjin e shtypit dhe të angazhohet për lirinë e shtypit. Zemra e saj është sidoqoftë vetëkontrolli me vullnet të lirë. Çdo qytetar mund të ankohet pranë Këshillit të Shtypit nëse mendon se një gazetar shkel etikën e gazetarisë. Që nga themelimi i tij Këshilli i Shtypit ka marrë më shumë se 10 mijë ankesa dhe vetëm vitin e shkuar thuajse 700. Njëra prej tyre ishte kundër gazetës BILD, dhe më konkretisht për një raportim të kësaj gazete për rrëmbimin në Irak të Suzane Osthof.

Fried von Bismark i Këshillit të Shtypit e përshkruan këtë rast: "Gazeta BILD kishte si titull: "A do t´i pritet asaj tani koka?" Ky titull ishte një nga titujt kryesorë i shtypur me shkronja të mëdha dhe për këtë pati një mori ankesash. Njerëzit thonin se nuk duhen lejuar të shkruhen gjëra të tilla. Komisioni i ankesave u mor për një kohë të gjatë me këtë çështje nëse lejohen apo nuk lejohen tituj të tillë. Më më fund u arrit në përfundimin se lejohen, sepse e tillë ishte situata. Komisioni i ankesave tha se sigurisht që ishte një realitet i tmerrshëm por edhe për këtë lejohen të njoftojnë gazetat madje edhe me tituj të tillë që kanë efekt tek blerësit e gazetave."

Megjithatë kritikët e përshkruajnë Këshillin e Shtypit si një tigër pa dhëmbë, pasi ai nuk mund të verë sanksione por vetëm mund të shprehë kundërshtim ose të qortojë. Qortimi publik mund të jetë një mjet shumë efektiv deklaron Lutc Tillman, megjithëse duhet që gazetat ta botojnë qortimin: "Qortimi sjell tek lexuesi pikësëpari informacionin se ekziston një organizatë me ekspertë, gazetarë dhe botues të angazhuar që kujdesen për cilësinë në gazetari. Së dyti ai edhe nxit një konfrontim kritik me gabimet brenda redaksive."

Ndërkaq Këshilli i Shtypit është konsoliduar si institucion dhe si organ kontrollues, thotë Fried von Bismark: "Eshtë për t´u vënë në dukje se shumica e gazetarëve përpiqen t´i përmbahen rregullave të lojës dhe ata ndihen të ofenduar nëse iu vihet në dukje se ata nuk i përmbahen rregullave. Shefat e redaksive nuk i pëlqejnë artikujt kritikë pasi ata mendojnë se në fakt ata duan të sillen mirë."

Megjithatë Këshilli i Shtypit nuk synon të jetë vetëm një organ mbikqyrës për gazetarët. Një qëllim po aq i rëndësishëm është mbrojtja e lirisë së shtypit, thotë Fried von Bismark. Kjo është e domosdoshme edhe pas gjashtë dekadash demokraci në Gjermani.