1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e klimës detyrë urgjente për politikën dhe shoqërinë

Riçard Meng24 Shkurt 2007

Koha për kthesën e nevojshme në politikën për klimën nuk pret. Një studim i OKB-së mbi klimën i bërë publik së fundi thotë qartë: që ndryshimi themelor duhet të realizohet në 15 deri në 20 vitet e ardhëshme. Kjo është një detyrë urgjente për politikën dhe shoqërinë, por në radhë të parë për vendet e industrializuara.

https://p.dw.com/p/ArJO
Fotografi: AP

Kush nëse jo ne? Kur nëse jo tani? Këto dy pyetje të vetëdijshme nga kampionati botëror i futbollit verën e kaluar asnjëherë nuk janë shtruar në aspektin politik. Por lidhur me debatin aktual për klimën këto dy pyetje shkojnë më së miri. Qysh prej dekadash janë shtruar në tryezë paralajmërime dhe propozime, por shumë pak është bërë në këtë drejtim. Ekonomia deri vonë e konsideronte gjithçka ekologjike si jo moderne. Ndërsa tani papritur gjithçka
është ndryshe.

Ndoshta edhe sepse gjendja e ekonomisë tani për tani është mirë: Tema e klimës duket gjithësesi se po u intereson njerëzve, ky është një shans i rrallë. Specialistët e mjedisit të OKB-së për herë të parë po prezantohen si pedagogë popullorë me vetëdije mediatike, sepse studimet e tyre mbi klimën po publikohen pjesë pjesë gjatë këtij viti. Vetëm se shtrohet pyetja, nëse politika sërish do të mbetet në vendnumëro duke u kapur pas çështjeve të detajeve. Ec e jaket aktuale në Gjermani lidhur me përgjegjësitë për taksën e automjetit ta përforcojnë këtë frikë.

Kush nëse jo ne? Gjermania deri më sot ka qenë krenare për teknologjinë e lartë të saj, pikërisht sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Makinat "made in germany" e kanë zbuluar këtë krenari si një vetëmashtrim të inskenuar. Në të vërtetë pikërisht qeveria e socialdemokratëve dhe ekologjistëve ka vendosur piketa në drejtimin e gabuar. Sa u përket energjive të rigjenerueshme janë vënë në udhë shumë ide udhërrëfyese. Por në jetën e përditshme kujdesi ndaj mjedisit më shumë është përqeshur se sa është vlerësuar. Por më së voni tani, që studimet mbarëbotërore mbi klimën duket se po sinjalizojnë përmbysjen e sistemeve ekologjike, vendet e industrializuara duhet të avancojnë. Ato duhet ta bëjnë këtë me shpikje por edhe me zabtime në praktikë.

Kur nëse jo tani? Pasiguria është gjithmonë edhe një rast për të ndryshuar mendimin. Kthesa në mendim është objektivisht e nevojshme prej shumë kohësh. Sigurisht që pas disa javësh sërish do të dominojnë të tjera tema të lajmeve. Madje shumë nuk durojnë dot më që për ditë me radhë të merren me të njëjtën temë. Por tani ka ardhur koha e përshtatshme. Gjermanët kanë kryesinë e BE-së dhe të grupit të vendeve të industrializuara. Kancelarja gjermane ka qenë vet dikur ministre e ekologjisë, ndaj asaj i duhet ta marrë seriozisht këtë temë jo vetëm për hir të profesionit. Ndërsa në prag është samiti i BE-së në fillim të marsit. Tema: për herë të parë do të jetë politika për klimën. 15 deri në 20 vjet kohë do të mbeten maksimumi, thonë ekspertët.

Zonja Merkel pra ka një rast të rrallë për të vënë diçka në lëvizje. Por vetëm nëse ajo vepron me taktikë. Nëse ajo thotë hapur, se tema e klimës kërkon prej të gjithë ne që të ndryshojmë qëndrimin. Nëse ajo e bën këtë duke e shmangur përshtypjen sikur kristiandemokratët në rrugën e modernizimit duan që t´i marrin edhe një temë tjetër socialdemokratëve. Ajo do t´ia arrijë kësaj nëse të enjten e ardhëshme (01.03) në Bundestag nuk do të mbajë fjalim rutinë lidhur me samitin e klimës që zhvillohet së shpejti.

Kancelarja ndodhet përpara një teme që kërkon perspektiva ambicioze dhe të guximshme. Presioni për ndryshim në mbrojtjen e klimës duhet të përfshijë edhe shoqërinë. Kjo mund të arrihet nëse janë të qarta rruga dhe qëllimi. Nëse debati nuk fiksohet vetëm tek llampat për kursim energjie. Ne lidhur me këtë po mësojmë çdo ditë diçka të re. Madje që kultivimi ekologjik jo vetëm është më i shëndetshëm, por edhe i përshtatshëm për mjedisin. Etj., etj., etj.

Politika duhet së paku që kësaj here të jetë në gjendje që të dallojë të rëndësishmen nga e parëndësishmja dhe ta dojë të rëndësishmen. Grindjet e ditës mbi hapat e vegjël të mëtejshëm janë pjesë e kësaj. Por më e rëndësishme është, që së fundi të arrihet që një mbrojtje më e mirë ndaj klimës të mbyllë humnerën mes fjalëve dhe veprave.