1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

McMahon: OJQ duhet të ndihmojnë njerëzit në bazë

Aida Cama
12 Tetor 2018

OJQ janë kudo, por prezenca e tyre është keqkuptuar dhe ndikimi i tyre është keqinterpretuar. Kështu e fillon librin e titulluar "NGO-Game" Patrice C. McMahon, profesore e jashtme në Universitetin e Nebraskës.

https://p.dw.com/p/36QCh
Cover The NGO Game
Fotografi: Cornell University Press

Në librin "NGO-Game" ("Loja e OJQ-ve) e Patrice C. McMahon bëhet fjalë për organizatat joqeveritare dhe rolin e tyre në vendet që kanë kaluar konflikte dhe vendet në tranzicion. Si shembull, Mc Mahon ka marrë Bosnjën dhe Kosovën. Kush vjen nga Ballkani e kupton shumë mirë për çfarë bën fjalë McMahon. Shumë atje kanë punuar për organizatat joqeveritare (OJQ), kanë përfituar prej tyre, kanë humbur, i kanë lëvduar, i kanë kritikuar. Por asnjë prej tyre nuk ka analizuar vërtet punën dhe rezultatet e punës së OJQ-ve. Këtë e ka bërë McMahon, e cila ka punuar 18 vjet për studimin e saj.

Ajo ka vërejtur se ka pasur rezultate që nuk kanë pasur të bëjnë me qëllimet e OJQ-ve. Aktorët ndërkombëtarë, thotë ajo, janë mbështetur tek organizatat joqeveritare për të vendosur paqen. Por, megjithëse politikbërësit dhe studiuesit kanë si tendencë të pranojnë dhe të vlerësojnë shumë angazhimin e OJQ-ve, ata janë marrë shumë pak me pyetjen se përse organizatat joqeveritare janë kthyer në shumë popullore, me pyetjen se çfarë pune bëjnë ato dhe çfarë efekti ka puna e tyre në jetën e përditshme.

Pas një konflikti, OJQ ndërkombëtare vërshojnë në një vend, OJQ lokale krijohen kudo si kërpudhat mbas shiut dhe paratë dhe energjitë vërshojnë për forcimin e tyre. Në momentin kur vrulli i aktiviteteve bie, ndërkombëtarët shkojnë në shtëpi, grupet lokale zhduken nga faqja e dheut dhe bumi i OJQ-ve bie. Në vend të krijimit të paqes dhe stabilitetit, përqafimi i OJQ-ve dhe entuziazmi për paqekrijuesit ndërkombëtarë kthehet në zhgënjim, në mos në cinizëm. Për shumë vetë në Ballkan, OJQ-të nuk janë më ndihmë për krijimin e paqes së qendrueshme por kthehen në pjesë të problemit, për shkak të trazirave që nxisin në ciklin e ekzistencës së tyre në vendin ku kanë shkuar. Numri i OJQ-ve në Kosovë ishte në vitin 2011 në mbi 6000.

Organizata joqeveritare, quhen grupet qytetare jo fitimprurëse, që punojnë në nivel lokal, kombëtar ose ndërkombëtar me një çështje me interes publik. Përkufizimi është shumë i gjerë. Në të përfshihen që nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, deri tek organizatat me një person, në mbrojtje të një kauze, në një qendër të vogël, në një vend të humbur. OJQ quhet çdo lloj organizate që nuk kontrollohet nga shteti. Por ato mund të marrin fonde nga shteti.

E pyetur nga Deutsche Welle se çfarë do të thotë ajo me librin "NGO-Game" (Loja e OJQ- ve) dhe se ç'kupton me lojë të OQJ-ve, autorja McMahon shpjegon:  "Ajo që kam unë parasysh me 'lojën' është se ekziston një mjedis i caktuar strukturor në asistencën e huaj për vendet pas konflikteve, dhe ato në tranzicion, ku qeveri të huaja ose organizata të huaja kërkojnë të ndihmojnë vendet, individët dhe grupet, por ato shpesh krijojnë situata ku ndihmojnë veten, promovojnë interesat e veta, ndërkohë që njerëzit në bazë që kanë nevojë për ndihmë duhet të dëgjojnë çfarë thonë donatorët ose organizatat ndërkombëtare, interesat që ata kanë kur japin asistencën. Ekziston pra një lojë e madhe kur jepet asistenca e huaj, dhe unë kam folur me njerëz në Ballkan, ku njerëzit janë shumë të vetëdijshëm për strukturat, ku secili për fat të keq secili duhet të operojë, megjithëse shumë prej tyre e dinë se rezultati nuk do jetë ai i dëshiruari."

Gjatë hulumtimit prof. McMahon ka parë në vendet e Ballkanit: në Bosnje, Kosovë skepticizëm sa i përket OJQ-ve dhe punës që kanë bërë ato. Ndoshta të njëjtën gjë mund të kishte parë studiuesja edhe po t’ë kishte qenë në vendet e tjera si në Shqipëri apo edhe në shumë rajone të tjera, ku operojnë organizata të tilla. Sepse OJQ-të ndërkombëtare shkojnë të ndihmojnë vendin për të krijuar paqen, dhe pas tyre krijohen OJQ lokale, dhe kur paret mbarojnë ato nuk ekzistojnë më. Duket se askush nuk merret me rezultatin. Mos vallë ekziston një problem tek modeli? Po, thotë politologia McMohan, ka dy tri gjëra: "Unë nuk ka dyshim për një gjë. Kur ju shihni sa para janë dhënë nga donatorët për këto vende, një pjesë shumë shumë e vogël e tyre përfundon tek organizatat lokale, janë ato OJQ ose të tjera. Shumë pak para kanë përfunduar tek vendasit. Pjesa më e madhe e parave që është dhënë nga shoqëria civile, ose për shoqërinë civile në organizatat ndërkombëtare, kanë funksionuar si biznes, ky është realitet. Kjo nuk është gjë e re. Por ajo që bëj unë në librin tim është se e vë në pah këtë realitet. Sfida tjetër është se në varësi nga organizata, e cila ka qenë në vende të tjera, ka preferencat e veta, në varësi nga sektori, ka organizata që i japin paratë për interesat e tyre, që mund ose mund të mos jenë relevante për grupet lokale, ose për punën që lokalët duan të bëjnë. Pastaj, ju keni disa individë në këto vende, për të cilat është e re ideja e shoqërisë civile, e OJQ-ve, e veçanërisht në Kosovë, ku kam dëgjuar reagimet e njerëzve, se njerëzit që punonin në OJQ filluan të visheshin ndryshe, ngasin makina të reja, dalin jashtë vendit...

A mund të ekzistojë një shoqëri pa OJQ-të? McMahon, shpjegon për Deutsche Welle-n, se "Unë nuk jam duke thënë se nuk duhet të ekzistojnë OJQ-të. Unë kam parë shumë OJQ, që bëjnë punë të jashtëzakonshme. Arsyeja pse unë e kam shkruar librin është se unë mendoj se ndihma duhet të shkojë kryesisht tek organizatat lokale, që e dinë shumë mirë çfarë duhet bërë. Ato duhen forcuar në bazë, dhe jo të trajtohen si njerëz që janë marrë në punë nga ndërkombëtarët. Ajo që kam dëgjuar unë në Kosovë ka qenë, se "ne e njohim shoqërinë tonë, ne nuk na duhet një OJQ ndërkombëtare të vijë të na thotë çfarë të bëjmë". Kjo është ajo që them unë, të ndihmohen më shumë njerëzit në bazë.