1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me 20 mars hiqen kufizimet në Gjermani

17 Shkurt 2022

Gjermania ka vendosur t'i pezullojë masat kufizuese nga data 20 mars 2022. Por lehtësimet në Gjermani do të kryhen në tri faza. Kostot e pandemisë janë tepër të larta.

https://p.dw.com/p/479Qa
Deutschland | Symbolbild | Coronavirus | Wirtschaft
Fotografi: Florian Gaertner/photothek/imago images

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeminstrat e landeve kanë vendosur në takimin e fundit që deri me 20 mars të hiqen gradualisht masat kufizuese në Gjermani. Masat do të hiqen në tri faza. Kancelari Scholz pas takimit tha se "virusi Omikron dhe pandemia Corona e kanë arritur tanimë kulmin e tyre" dhe se gjendja ka filluar ngadalë të përmirësohet. Incidenca në Gjermani në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh është për momentin mbi 1400. Por pesë ditët e fundit numri i të infektuarve dhe incidenca kanë rënë çdo ditë, e kjo është rënia e parë prej muajit dhjetor. Ndërsa gjendja në spitale është nën kontroll.

Bund und Länder wollen in Corona-Krise Kurs halten
Fotografi: Hannibal Hanschke/dpa/POOL AP/picture alliance

Heqja e masave

Kjo mundëson filimin e heqjes graduale të masave, tha Scholz. Në fazën e parë do të lejohet futja në dyqane e të gjthë qytetarëve vetëm me maska, pavarësisht nëse janë vaksinuar apo shëruar. Për personat e vaksinuar apo shëruar nuk do të ketë më kufizime për takimet me të tjerët, ndërsa të pavaksinuarit deri me datën 19 mars mund të takojnë vetëm dy persona të tjerë jashtë familjes së tyre. Faza e dytë fillon më 4 mars kur do të ketë lehtësime për gastronominë dhe hotelet. Aty do të vlejë rregulli 3G (të vaksinuar, të shëruar apo testuar). Diskotekat dhe klubet do të hapen, por duke respektuar rregullat 2G (të vaksinuar apo shëruar), ndërsa në manifestimet e mëdha brenda mund të mblidhen deri në 6000 persona ose 60% e kapaciteteve, jashtë mund të grumbullohen deri në 25.000 shikues, ose 75% e kapaciteteve. Në këto manifestime do të vlejnë rregullat 2G apo 2G plus. Më në fund, më 20 mars do të pezullohen të gjitha masat e rëndësisshme kufizuese shoqërore, ekonomike dhe sociale. Më datën 20 mars hiqet edhe obligimi i punës nga shtëpia.

Më pas mbetet vetëm mbajtja e maskave në vende të caktuara - trafik apo objekte të mbyllura. Por Scholz tha se vaksinimi mbetet si synimi kryesor. "Vaksinimi me detyrim është i domosdoshëm dhe mund të pritet në vjeshtën e këtij viti", tha ai. Takimi i radhës ku do të shqyrtohet gjendja do të mbahet me 17 mars. Por që tani është e qartë se kostot e deritanishme të pandemisë kanë qenë jashtëzakonisht të larta.

Kostot e deritanishme të pandemisë

Sipas Institutit Ifo, humbjet ekonomike nga pandemia Corona në Gjermani kanë arritur deri tani shifrën prej 330 miliardë euro. "Kjo korrespondon me një humbje ekonomike që arrin në dhjetë përqind të prodhimit ekonomik në vitin 2019," tha shefi ekonomik i Ifo, Timo Wollmershäuser. Humbjet e e tjera si problemet që solli mbyllja e shkollave dhe fusha të tjera, nuk janë marrë ende parasysh në këtë llogaritje.

Pressekonferenz nach Ministerpräsidentenkonferenz
Fotografi: Michele Tantussi/dpa/Reuters/Pool/picture alliance

"Kjo është kriza më e rëndë ekonomike globale që nga Depresioni i Madh i viteve 1930”, tha presidenti i Ifo, Clemens Fuest. Ndaj ishte e drejtë, thotë ai, që qeveria gjermane mori masa për ruajtjen e bërthamës së ekonomisë. Pasojat e krizës janë tani borxhi më i lartë dhe arsimi më i dobët, por në këtë periudhë është shënuar edhe një digjitalizim më i shpejtë, që po e ndryshon ekonominë me homeoffice dhe tregtinë online.

Llogaritë e institutit bazohen tek parashikimet e tij nga dhjetori 2019 për vitet 2020 dhe 2021. "Pa këtë krizë, ekonomia gjermane do të ishte rritur me 1,3 përqind në dy vitet e kaluara”, tha Wollmershäuser. Prodhimi ekonomik gjerman ka rënë me 4,6 përqind në vitin 2020, ndërsa rritja në vitin 2021 ishte 2,8 përqind. Por shumica e ekspertëve mendojnë se niveli i para krizës nuk do të arrihet deri në pranverë. Për vitin 2022 në tërësi, qeveria federale pret që produkti i brendshëm bruto të rritet me 3,6 përqind.