1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me programin e disiplinës financiare qeveria greke siguroi ndihmën shpëtimtare, por jo paqen sociale.

3 Maj 2010

Opozita e djathtë flet për Vaterlo qeveritare, e majta bën apel për front antiqeveritar dhe sindikalistët për cunam grevash dhe demostratash, që fillojnë sot me grevën 24-orëshe të pushtetit vendor.

https://p.dw.com/p/NDIM
Fotografi: AP

Edhe pse në pjesën e tyre më të madhe ishin “dekonspiruar”, masat e programit trevjeçar të disiplinës financiare të ekonomisë greke, të shpallura dje nga qeveria socialiste e Jorgos Papandreut, u përjetuan si një cunam i madh anëkënd Greqisë. Nëpunësit shtetërorë, që janë edhe humbësit më të mëdhenj, sipas analistëve humbasin 35% të të ardhurave të tyre mujore. Akoma edhe sektori privat, që qeveria pretendon se “nuk preket”, pasi ruan rrogën e 13-të dhe të 14-të, humbet 15% të të ardhurave nga rritja 2% e taksës së vlerës së shtuar, nga rritja 10% e taksës së benzinës, pijeve dhe cigareve, por edhe nga reduktimi i pagesave të punës jashtë orarit.

Griechenland Proteste Finanzkrise
Një polic qëllon një protestuesFotografi: AP

Shteti futi thellë dorën në xhepin e qytetarëve

Ai kursen tre vitet e ardhshme 30 miliardë euro dhe për të ulur defiçitin buxhetor nga 13.6% në 2.6% në fund të vitit 2014. “E di, me vendimet tona të sotme qytetarët do t'u nënshtrohen sakrificave të mëdha”, tha Papandreu. Kryeministri grek çdo alternativë tjetër e cilësoi “katastrofë” dhe sqaroi se ajo, çka e proekupon, është vetëm “shpëtimi i vendit” dhe jo një mandat i dytë.

A do të ketë paqe sociale pas reformave të dhimbshme

Masat në fjalë është e vërtetë se i siguruan Greqisë 110 miliardë euro ndihmë financiare për tre vitet e ardhshme, me kusht që të mos shënohet as devijimi më i vogël nga programi, për zbatimin e të cilit do të ketë vazhdimisht në kokë kontrollorët e “troikës”. Ajo, që nuk dihet, është nëse do të ketë edhe paqen e duhur sociale për reformat e dhimbshme, që do të ndërmarrë duke vështirësuar skajshëm shtresa të tëra shoqërore. “As pas 200 vjetesh nuk do të arrijmë të nxjerrim borxhet. Edhe fëmijët edhe nipërit tanë do të jenë me borxhe”, thotë një qytetar, kur qeveria nuk arriti të bindë njerëzit për efikasitetin e shpejtë të masave. “Niveli i jetesës do të arrijë në atë të vitit 1980. Paga të ulëta, pensione të ulëta, shumë vite pune”, thotë një tjetër, kur ndjesia, që ekziston te njerëzit është se i presin jo vite, por dekada vështirësish dhe privacionesh.
Superteaser NO FLASH Griechenland Proteste und Eis vor Parlament
Protesta para parlamentit grekFotografi: AP

“Dëgjuam se do të paguajnë të varfërit, të papunët, pensionistët. Nuk dëgjuam të paguajnë ata, që për vite përvetësojnë pasurinë e populit grek”, deklaroi presidenti i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë, Janis Panagopullos, i cili i vlerëson masat si të padrejta nga pikëpamja sociale dhe drejtoi apel për protesta, që fillojnë sot me grevën 24-orëshe të pushtetit vendor dhe përshkallëzohen me grevën e përgjithshme të sektorit publik dhe privat të mërkurën. “Me luftën tonë t'i dërgojmë faturën atyre, që janë përgjegjës për politikat e aplikuara”, ishte deklarata e Spiros Papaspiru, kreut të sindikatës së nëpunësve shtetërorë, që në komunikatën e saj shënonte se “qeveria shpalli edhe formalisht falimentimin e jetës së rrogëtarëve, pensionistëve dhe të papunëve”. Reagimet më të ashpra erdhen nga e majta dhe kryesisht nga radikalët e Partisë Komuniste, që ftojnë për bojkot dhe krijimin e një fronti antiqeveritar.

Partitë opozitare greke mundohen të shfryzëzojnë shansin e momentit


“Është gënjeshtër ajo, që thotë Jorgos Papandreu se masat nuk do të prekin sektorin privat”, deklaroi kryetarja e Partisë Komuniste Aleka Papariga, e cila drejtoi apel për një “front mbarëpopullor”, kurse kreu i partisë së majtë Sinaspismos, Aleksis Cipras, tha se masat e shpalluara “fusin vendin në një tunel të errët prej dy dekadash” dhe kërkoi sërish referendum popullor.

NO FLASH Neue Streiks in Griechenland - Demo gegen Sparmaßnahmen
Demonstratë kundër kursit të kursimit.Fotografi: picture alliance/dpa

Me tone të ashpra, që e bëjnë të pamundur arritjen e një aleance politike, aq të vlefshme në këtë situatë, ishte dhe reagimi i Samarasë, kreut të partisë më të madhe opozitare të Neodemokracisë. “Ndodhemi para pohimit të një vaterloje të vërtetë parashikimesh dhe politikash të qeverisë. Parashikuan një recesion për sivjet në shkallën –0.3% dhe sot pranojmë se është 10 herë më i madh, do të arrijë në -4%” deklaroi Samaras, i cili ndryshe nga herët e tjera nuk la asnjë hapësirë për bashkëpunim me qeverinë. “Një qeveri e dobët me një rezultat të dobët”, ishte reagimi i kreut nacionalist Karaxhaferis. Qeveria do të provojë kështu vetminë e saj në kalvarin, që po nis, që asnjë nuk mund të thotë me siguri, se kur dhe si do të mbarojë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica