1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel mbështet zgjerimin e kompetencave të FRONTEX-it

ml/sti (dpa,rtr,epd)17 Dhjetor 2015

Para takimeve të nivelit të lartë është e zakonshme që të raportohet në Bundestag. Në fjalën e saj të mërkurën (16.12) në prag të samitit të BE, Merkeli tha se e mbështet zgjerimin e Frontex-it.

https://p.dw.com/p/1HOmh
Deutschland Merkel Regierungserklärung vor dem EU Gipfel
Fotografi: Getty Images/AFP/O. Andersen

"Turqia është dhe mbetet për BE një partner kyç", tha kancelarja në deklaratën e saj qeveritare në Bundestag. Me këtë ajo e bëri të qartë se edhe më tej mbështetet te qeveria e Ankarasë për të përballuar situatën e refugjatëve. Kultura e mikpritjes, e shumëdiskutuar këto ditë gjithsesi nuk qe në qendër të shpjegimeve të kancelares.

Pasi Komisioni Evropian paraqiti të martën (15.12) propozimet për një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të BE, kryetarja e CDU-së kaloi në anën e atyre, të cilët i konsiderojnë të domosdoshme këto masa. Meqenëse planet ecin në "drejtimin e duhur", ajo do të angazhohet në grupin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të BE, që për propozimet "të bëhen sa më shpejt konsultime dhe të miratohen", tha Merkeli në Bundestag.

Takim i nivelit të lartë të enjten dhe të premten

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE duan të bëjnë në takimin e së enjtes dhe të premtes (17.12 - 18.12) në Bruksel një bilanc për vënien në jetë të vendimeve të deritashme në politikën e refugjatëve. Komisioni i BE ka propozuar që duke u bazuar te agjencia e BE, Frontex, të krijohet një mbrojtje kufitare dhe detare evropiane, e cila në situata krize të ndërhyjë edhe kundër dëshirës së shteteve anëtare. Për shkak të planeve për të ndërhyrë në sovranitetin e shteteve anëtare, planet e komisionit shkaktuan protesta, midis të tjerash në Poloni.

Çështje të sovranitetit

Natyrisht që mbrojtja e kufirit prek "çështje shumë qenësore të sovranitetit nacional të shteteve", pranoi kryetarja e qeverisë në Berlin. Edhe Gjermania do ta vështrojë me vëmendje këtë çështje. Por ajo e konsideron "inkurajuese dhe të drejtë", që diskutimi për këtë temë ka vazhduar. Sepse masat nacionale për menaxhimin e lëvizjes së refugjatëve duhet të plotësohen me masa gjithëevropiane, për ta reduktuar numrin e azilkërkuesve që vijnë në Evropë.

Kancelarja u ndal edhe në bashkëpunimin evropian për të luftuar terrorin. Këtu bën pjesë përmirësimi i shkëmbimit të informacionit midis shteteve anëtare, tha ajo. Në këtë kuadër, kancelarja lëvdoi memorizimin e planifikuar të të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Ajo theksoi edhe se Gjermania merr përgjegjësinë, që me kërkesën e Francës të ofrojë mbështetje ushtarake në luftën kundër "Shtetit Islamik" në Siri. Me këtë lidhen përpjekje për një zgjidhje politike. "Ajo që synohet është fundi i luftës në Siri dhe një fund pa Assadin", deklaroi kryetarja e CDU-së.