1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel merr në mbrojtje Shirakun

Anila Shuka24 Janar 2006

Shiraku relativizon deklaratat e mëparshme për të vënë në përdorim armët bërthamore kundër shteteve terroriste. Merkel dhe Shirak u takuan të hënën në mbrëmje në Versajë

https://p.dw.com/p/AqgM
Atmosfera franko-gjermane më e ngrohtë se ajo klimaterike
Atmosfera franko-gjermane më e ngrohtë se ajo klimaterikeFotografi: AP

"E tëra kaloi shumë mirë, jemi në pritje të një darke të shijshme," - do të thoshte kancelarja gjermane Angela Merkel, mbas bisedës me presidentin francez Zhak Shirak. Një darkë, të cilën Shiraku nuk kishte se përse t'ia kursente, sepse megjithë protestat që kishin ngjallur në Gjermani kërcënimet e presidentit francez për përdorimin në rast nevoje edhe të armëve atomike, kancelarja gjermane doli në mbështetje të mikpritësit:

"Jam çuditur pak me debatin e zhvilluar në Gjermani. Sepse sigurisht, ajo që ka deklaruar presidenti francez është në vazhdimësi të plotë me doktrinën nukleare. Sepse ne e dimë që Franca është një vend me potencial bërthamor. Këtu bëhet fjala për të trembur, kështu që nuk ka asgjë për të kritikuar," - u shpreh Merkel.

Presidenti francez pat kërcënuar javën e kaluar me vënien në përdorim të armëve atomike, në rast të ndonjë sulmi nga ndonjë shtet terrrorist. Në Gjermani kjo deklaratë ishte bërë shkak kritikash nga ana e opozitës. Shiraku vetë iu përgjigj pyetjes së një gazetari gjerman me fjalët: "Armët bërthamore për ne nuk do të jenë asnjëherë vegla lufte. Askush, qoftë gjerman apo tjetër, nuk ka pse të ketë frikë prej tyre," relativizoi Shiraku.

Krerët e dy shteteve më të mëdhenj të Bashkimit Evropian trajtuan edhe një sërë temash që kishin të bënin me Evropën. Ata duan të hartojnë një projekt të përbashkët për kontrollimin e migrimit të parregullt, të forcojnë bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës e të tjera të ngjashme. Të gjitha këto projekte do të trajtohen më hollësisht më 14 mars, kur të mblidhet këshilli franko-gjermanë i ministrave në Berlin.

Takimi i tretë mes Merkelit dhe Shirakut, që kur Merkeli mori në dorë pushtetin në Gjermani, zgjati gjithsej pesë orë. Në të merrnin pjesë edhe minsitrat e jashtëm të dy vendeve, ai gjerman Frank-Valter Shtajnmajer dhe ai francez, Filipe Doste-Blazi.

Takimi filloi me një vizitë në ekspozitën e hapur të hënën me titullin: "Shkëlqimi i oborrit sakson - Dresdeni në Versajë". Në kështjellën mbretërore në Versajë janë ekspozuar 250 vepra arti të kohës së princit sakson Augustit të Fuqishëm, të fillimit të shekullit të 18-të. Objekti që mahniti Shirakun ishte Obelisku i Augustit, që është 2,3 metra i gjatë e që e ka punuar argjendari i famshëm Johan Melchior Dinglinger. Kaq e vjetër me siguri që nuk ka qenë vera që i ka ofruar presidenti francez mikeshës nga Gjermania.