1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli kërkon të respektohet vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Sudanin

Anila Shuka/ Berlin16 Korrik 2008

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, kancelarja gjermane Angela Merkel, ka theksuar pavarësinë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhërarrestin ndaj presidentit sudanez Al Bashir.

https://p.dw.com/p/Ed8K
Ban Ki Mun dhe Angela Merkel
Ban Ki Mun dhe Angela MerkelFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel vuri në dukje se pavarësia e Gjykatës Penale Ndërkombëtare duhet respektuar: "Ne të gjithë kemi marrë përsipër të bashkëpunojmë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Dhe e mbështesim atë duke mos u shprehur në mënyrë kritike", tha ajo mbas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun, të martën, më 15.07.08, në Berlin. Tërthorazi Merkeli u distancua kështu nga deklarata e mëparshme e Ban Ki Munit, i cili e kishte cilësuar urdhërarrestin ndaj presidentit sudanez si problematik për zgjidhjen paqësore të konfliktit të Sudanit. Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, Luis Moreno-Okampo (Luis Moreno-Ocampo), të hënën kishte nxjerrë urdhërarrest ndaj presidentit sudanez me akuzën për gjenocid ushtruar ndaj afrikanëve me ngjyrë në Darfur.

Ban Ki Mun gjithashtu u shpreh për respektimin e pavarësisë ndaj gjyqësorit, dhe theksoi se "paqja dhe drejtësia janë të pandashme". Por ai kujtoi se në Sudan ka mbi 16 mijë punonjës të OKB-së, të cilët kujdesen për refugjatët e brendshëm. Kjo është një punë shumë e çmuar tha ai dhe i bëri thirrje qeverisë së Sudanit që të bashkëpunojë tërësisht me misionin humanitar të OKB-së: "Paralajmëroj qeverinë e Sudanit dhe presidentin Al Bashir që të sigurojnë kushtet e përshtatshme në mënyrë që misioni i OKB-së të kryejë detyrën ashtu siç e parashikon mandati i Këshillit të Sigurimit".


Shkak për këtë deklaratë janë kërcënime për hakmarrje kundrejt punonjësve civilë të OKB-së si dhe ushtarëve të Unionit Afrikan, që mbështesin misionin humanitar. OKB-ja pat marrë vendim qysh të martën për të tërhequr një pjesë të konsiderueshme të misionit të saj nga zona e krizës. Në krahinën në perëndim të Sudanit, Darfur, po zhvillohet një luftë e ashpër pesëvjeçare ndërmjet fiseve afrikane me ngjyrë dhe arabëve islamistë, që mbështeten nga Kartumi. Numri i viktimave të deritanishme mendohet të ketë arritur në 300.000.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, të martën në mbrëmje u takua edhe me ministrin jashtëm Frank Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier), me të cilin ai hapi në mbrëmje një konferencë dyditore me krerë organizatash joqeveritare dhe ministra të jashtëm nga vende të ndryshme të botës. Në konferencën e zhvilluar me dyer të mbyllura merr pjesë edhe i ngarkuari i BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë, Havier Solana (Javier Solana). Gjate dites së mërkurë, Ban do të shkoje per vizite edhe ne zyren gjermane te OKB-së në Bon. Kjo eshte vizita e pare zyrtare Banit në Gjermani.