1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra studentë të Universitetit të Prishtinës kërkojnë shpalljen e mënjëhershme të pavarësisë

Bekim Shehu10 Dhjetor 2007

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës thanë sot, se Prishtina shumë shpejt do të ketë një vendim për shpalljen e pavarësisë, mirëpo jo pa një koordinim me SHBA-së dhe BE.

https://p.dw.com/p/CZrn
Mijëra studentë të Universitetit të Prishtinës kërkuan gjatë një demonstrate shpalljen e mënjëhershme të pavarësisë.Fotografi: picture-alliance/dpa

Grupi negociator i Kosovës, është zotuar se do të bashkërendoj veprimet e tij me partnerët ndërkombëtarë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në një takim të zhvilluar në Prishtinë, pas dorëzimit të raportit të treshes së grupit të kontaktit tek sekretari i përgjithshëm i OKB-së, grupi negociator thekson se pas tetë vjet paqartësie, populli i Kosovës ka nevojë urgjente për qartësi të së ardhmes së vet. Propozimi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, z. Marti Ahtisari, duke përfshirë edhe rekomandimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, si dhe pakoja e masave për mbrojtjen e minoriteteve të Kosovës, ofron një bazë solide për ta çuar Kosovën dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të ndritur euroatlantike. Negociatoret kosovar, kanë shprehur përkushtimin për të marrë mbi vete obligimet e përfshira në atë propozim. Udhëheqësit kosovar, thone se, institucionet e Kosovës shumë shpejtë do të marrin një vendim për shpalljen e pavarësisë, mirëpo jo pa një koordinim me Uashingtonin dhe Brukselin.

Skender Hyseni, zëdhënës i grupit negociator, theksoi se "prej sot Kosova do të fillojë konsultime intensive me faktorët kryesorë ndërkombëtarë me qëllim të koordimit të hapave të shpalljes së pavarësisë dhe të bërjes zyrtare të kërkesës për njohje të pavarësisë."

Situatë e qetë por mjaft e brishtë

Studentët e Universitetit të Prishtinës, thonë se Kosova nuk duhet të presë më, por të shpallë menjëherë pavarësinë. Këtë kërkesë e theksuan mijëra studentë gjatë një proteste të zhvilluar në Prishtinë.

"Nga ky vend ju bëjmë thirrje të gjitha qendrave të vendosjes se populli i Kosovës mjaft ka pritur. Në kërkojmë të drejtën tonë legjitime, kërkojmë shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës!" - theksuan studentët protestues.

Protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës u zhvillua e qetë. Forca të shtuara të rendit vërehen gjithandej rrugëve të kryeqytetit, ndërsa masat e sigurisë janë forcuar edhe në rajonet tjera të Kosovës. Organet e rendit thonë se situata e sigurisë vazhdon të jetë e qetë, mirëpo mjaft e brishtë në këtë fazë të ndjeshme të zgjidhjes së statusit.