1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miks optimal i burimeve të energjisë

Sabine Kinkarct22 Janar 2006

Ç´drejtim po merr politika energjetike? Grindja për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës e ka nxjerrë sërish në plan të parë në Gjermani temën e sigurisë për furnizimin me energji. Kjo dhe çmimet në rritje të energjisë kanë shkaktuar diskutime intensive për strategji të burimeve mikse.

https://p.dw.com/p/Ar1X
Gazi, mall i çmuar
Gazi, mall i çmuarFotografi: dpa

Çdo konsumator, tek merr në dorë faturat për ngrohjen, shokohet. Brenda dy vjetësh në Gjermani vetëm çmimi i gazit është rritur me 30%. E njëjta gjë vlen edhe për vajin ngrohës, naftën dhe benzinën. Edhe kostot e energjisë po rriten dita ditës dhe kjo prek kryesisht ndërmarrjet industriale që e përdorin me intensistet energjinë.

Lëndët djegëse janë kthyer kështu në një mall me vlerë, përveç kësaj grindja për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës e ka nxjerrë në plan të parë çështjen e sigurimit të furnizimeve. Ministri i ekonomisë Mihael Glos, mund të nxjerrë vetëm një mësim prej kësaj: "Ne kemi nevojë për një përzierje të ekuilibruar të energjisë nga nafta, gazi, qymyrguri dhe qymyri, si dhe energjia bërthamore dhe ato të rigjenerueshme. Në këtë kontekst ne duhet të mendojmë edhe për rolin e energjisë bërthamore, e cila nuk duhet ndaluar. Por siç dihet mbi këtë çështje ne nuk mundëm ta çajmë nyjen gordiane të bisedimeve për koalicionin qeveritar."

Ministri Glos është i mendimit që centralet bërthamore në Gjermani të vazhdojnë të mbahen në funksionim për një afat të gjatë. Ndërkohë që socialdemokratët kanë kërkuar nxjerrjen e tyre nga përdorimi, dhe ky projekt është përfshirë në marrëveshjen e koalicionit. Sipas ministrit të ekonomisë lidhur me problemin e energjisë duhet menduar pa emocione dhe të çliruar prej ideologjisë, në mënyrë që Gjermania si zonë ekonomike të mund të mbetet joshëse dhe e aftë për konkurrencë.

Në këtë drejtim luan rol edhe parashikimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, sipas së cilës kërkesa mbarëbotërore për energji deri në vitin 2030 do të dyfishohet. Nëse rritet kërkesa, atëherë do të rriten edhe çmimet, vë në dukje studjuesi në fushën e energjisë, Mohsen Masarat: "Ne nuk duhet të harrojmë, që çmimet e energjisë nuk do të mbeten në këtë nivel. Një këshilltar i presidentit Bush, përpara disa javësh parashikoi, që çmimi i naftës mund të arrijë deri në 100 dollarë për barrel. Një gjë e tillë mund të ndodhë relativisht shpejt."

Kur kërkon mbajtjen në funksionim për një afat të gjatë të centraleve bërthamore, ministri i ekonomisë Glos, ka parasysh edhe vendet fqinjë evropiane. 78% e korentit në Francë e ka prejardhjen nga centralet bërthamore, Suedia nuk po i përmbahet më vendimit për nxjerrjen e këtyre centraleve nga përdorimi dhe Findlanda ndërkohë po ndërton me ndihmën gjermane dhe franceze një ndër centralet bërthamore nga më modernet në botë.

Por partia socialdemokrate, sipas ministrit të ekologjisë, Zigmar Gabriel i përmbahet dëshirës së saj për t´i mbyllur centralet bërthamore: "Jam i sigurt, që do t´i përmbahemi marrëveshjes, për shkëptujen nga energjia bërthamore. Megjithatë jam po aq i sigurtë, që partitë politike kristiandemokrate dhe kristiansociale ndoshta edhe për disa vjet do të vazhdojnë të kenë një mendim tjetër. Por nuk dua të përjashtoj, që për disa vjet edhe mund të ndryshojë kjo bindje politike që mbizotëron sot në unionin konservator."

Partia socialdemokrate i përmbahet projektit për zgjerimin e mëtejshëm të përdorimit të energjive të rigjenerueshme. Deri në vitin 2020 këto lloj energjishë duhet të mbulojnë 25% të nevojave. Një projekt ambicioz ky, ndaj realizimit të të cilit ka dyshime ministri Glos. Përveç kësaj ai shtron pyetjen, se si do të mbulohet pjesa tjetër prej 75% e nevojave për energji. Kësaj teme do t´i kushtohet rëndësi në samitin për energjinë që është planifikuar të organizohet në prill në Gjermani. Në këtë samit do të diskutohet për kursin e politikës energjetike gjatë viteve të ardhëshme si dhe për planet e ndërmarrjeve energjetike.