1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat debatojnë rreth lejes së qëndrimit

Anila Shuka, Berlin8 Dhjetor 2005

60 nga 200 mijë të prekurit, janë nga Kosova

https://p.dw.com/p/Ar24
Femijë në një shtëpi azilkërkuesish në Tyringen
Femijë në një shtëpi azilkërkuesish në TyringenFotografi: dpa

Katër nga gjithsej 16 ministrat e brendshëm të landeve gjermane kanë sjellë propozime për rregullimin e lejes së qendrimit të afro 200 mijë të huajve që jetojnë në Gjermani me Duldung. Njëri prej tyre, minsitri i landit më të madh, Nordrajn Vestfalisë, Ingo Volf, nga parita liberale (FDP) propozon leje qendrimi për ata që janë mbi gjashtë vjet në vend, por që që prej dy vjetësh ndodhen në marrëdhënie pune. Një vendim i ngjashëm ishte marrë në vitin 2001 për refugjatët nga Kosova.

Kolegu i tij nga Berlini, socialdemokrati Eberhardt Kërting, nuk është i kënaqur me këtë zgjidhje: "Nuk mund të kërkoj nga njerëzit që të kenë qenë në marrëdhënie pune që prej dy vjetësh, në një kohë që shumica e tyre nuk kanë pasur leje pune," i tha Kërting Dojçe Veles, kur ishte duke udhëtuar për në vendtakimin e ministrave, në Karlsruhe të landit Baden-Vyrtemberg. Senatori i kryeqytetit kishte ardhur me propozim më vete: "leje qendrimi për familjet që janë mbi gjashtë ose tetë vjet në Gjermani."

I vetmi kusht, është që ato të mos jenë të varura nga ndihma sociale. Numri i personave që kapen nga ky rregull, do të ishin afro 10.000 në Berlin. Një propozim i ngjashëm vjen edhe nga ministri kristdemokrat i landit të Hesenit, Folker Boufler. Ky ka ndër mend t'u japë refugjatëve një afat prej 12 ose 13 muajsh, derisa të gjejnë punë, e të dalin nga strukturat sociale.

Mbas tij qendron ideja që të mos dënohen fëmijët dhe të rinjtë e mirëintegruar, duke i kthyer me detyrim në një vend, ku nuk njohin as gjuhën. Këtë problem e kanë të qartë gati të gjithë ministrat, por shumë prej tyre, me në krye kristsocialin nga Bavaria, Gynter Bekshtajn, nuk duan që prej fëmiijëve të përfitojnë edhe prindërit, që e kanë pasur fajin vetë për zvarritjen e qendrimit të tyre.

"Do të ishte e padrejtë edhe ndaj mijra refugjatëve që tashmë janë kthyer vullnetarisht," i thotë Dojçe Veles në shqip, zëdhënësi i ministrisë së brendshme të Saksonisë së Poshtme, Klaus Engeman. Ministri i këtij landi, kristdemokrati Uve Shyneman, për këtë arësye sjell në konferencë një propozim tjetër: "Ne jemi për leje qendrimi vetëm për të rinjtë në moshën 16 deri 21. Në se ata janë të mirëintegruar në shoqërinë e këtushme, atëherë do t*u jepet mundësia të zgjedhin ndërmjet largimit së bashku me prindërit, ose qendrimit në Gjermani vetëm."

Megjithë numrin e madh të propozimeve shanset për gjetjen e një rregulli për personat me Duldung për këtë konferencë nuk janë shumë të larta, sepse ministrat duhet t'i marrin vendimet njëzëri. Senatori i brendshëm i Berlinit, Kërting, që deri në konferencën e mëparshme për propozimin e tij gjeti mbështetje vetëm nga ministrat e tjerë socialdemokratë, tani është optimist se të paktën vitin e ardhshëm do të gjendet një zgjidhje e arësyeshme.

Kjo do të sillte fundin e një pritjeje të gjatë për afro 60 mijë kosovarët që jetojnë në Gjermani me atë copë letër që quhet duldung. Është një dokument që i jep mbajtësit të drejtën të lëvizë brenda një zone të caktuar dhe që ndalon të drejtën e ushtrimit të profesionit pjesërisht ose tërësisht. Afro gjysma e kosovarëve që kanë këtë status, janë pjestarë të pakicave, pjesa tjetër janë shqiptarë. Një pjesë e mirë e tyre, kanë mbi dhjetë vjet në këtë gjendje.

Organizatat e ndryshme joqeveritare kanë vite që kërkojnë një zgjidhje të përgjithshme për raste të tilla. Një klauzolë për rregullimin e lejes së qendrimit të personave me duldung nuk u arrit të inkuadrohej në ligjin e ri të migracionit, që hyri në fuqi në fillim të këtij viti, nga frika se mos ajo do të përbënte joshje për flukse të reja refugjatësh.