1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e Jashtëm të BE-së rreth Iranit dhe Kosovës

27 Korrik 2010

Në grindjen atomike me Iranin Evropa ndoqi shembullin e SHBA duke ashpërsuar sanksionet. Ministrat diskutuan edhe për politikën e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

https://p.dw.com/p/OVBP
Catherine Margaret AshtonFotografi: Picture alliance/dpa

Ministrat e Jashtëm të BE-së të mbledhur në Bruksel miratuan një katalog sanksionesh ndaj Iranit. Po ashtu ata diskutuan në Bruksel edhe për politikën e tyre ndaj Ballkanit pas ekspertizës ligjore dhe rekomandimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Austria kërkoi të hënën përshpejtimin e bisedimeve për anëtarësim me Serbinë. "Për ta ndihmuar Beogradin që të mos ketë ndjenjën e poshtërimit ne duhet t'i japim Serbisë ndjenjën, që anëtarësimi i saj në BE nuk është hequr nga lista." - tha MPJ Michael Spindelegger gjatë takimit të së hënës të MPJ në Bruksel.

Außenminister Guido Westerwelle vor EU-Sternen
Guido Westerwelle, reagon pas deklaratës austriakeFotografi: AP

MPJ gjerman Guido Westerwelle iu kundërvu menjëherë kësaj ideje dhe theksoi se "nuk do të ketë as favore dhe as proces të përshpejtuar." Ai tha se si Serbia edhe Kosova duhet ta dinë se perspektiva e tyre është në Evropë, por se "secila duhet të bëjë detyrat e shtëpisë dhe se procesi i afrimit do të mbetet një proces i arsyeshëm."

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton theksoi se BE-ja ka dëshirë që të kujdeset më me forcë për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, por në takim nuk pati propozime konkrete. Kjo për faktin se BE-ja vazhdon të mos jetë e një mendimi në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Kështu 5 nga 27 shtetet anëtare të saj nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës: Spanja, Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.

Spanja dhe Qiproja bënë të qartë edhe në takimin e së hënës se edhe pas ekspertizës së gjykatës së Hagës nuk kanë ndër mend ta rishikojnë politikën e tyre.

Sanksionet më të ashpra të miratuara ndonjëherë nga BE-ja për Iranin

Temë tjetër e rëndësishme e takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së ishin ashpërsimi i sanksioneve kundër Iranit. Sanksionet e miratuara të hënën janë sanksionet më të ashpra të miratuara ndonjëherë nga BE-ja për Iranin. Sanksionet përmbajnë kufizime tregtare për mallrat që mund të përdoren si për qëllime civile edhe ushtarake; ndalimi i avionëve iranianë të transportit për të ardhur në Evropë; ndalimi i investimeve të reja në sektorin e naftës dhe të gazit në Iran. Po ashtu do të ketë edhe kontrroll më të ashpër të transfertave bankare nga dhe për në Iran si dhe ndalim të funksionarëve të lartë të Iranit për të udhëtuar për në Evropë.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti