1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri rus i punëve të jashme i mirëpritur të vizitojë Kosovën

Bekim Shehu28 Mars 2007

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk sheh asgjë të keqe nga kërkesa e fundit e minstrit rus të punëve të jashme, i cili ka kërkuar nga KS-it që ta vizitojë Kosovën, para se të fillojë debati për statusin.

https://p.dw.com/p/ArXA
Serbët e Kosovës shpresojnë të marrin ndihmë nga Rusia
Serbët e Kosovës shpresojnë të marrin ndihmë nga RusiaFotografi: AP

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ka ftuar përfaqësuesit e vendeve anëtare në KS-it, që ta vizitojnë Kosovën dhe të shofin nga afër realitetin dhe të binden se Kosova është e gatshme të funksionojë si shtet normal. Në këtë mënyrë, Presidenti Sejdiu nuk sheh asgjë të keqe nga kërkesa e fundit e minstrit rus të punëve të jashme, i cili ka kërkuar nga KS-it, që ta vizitojë Kosovën para se të fillojë debati për statusin në KS-it.

Presidenti Sejdiu, thotë se është e rëndësishme që Kosovën ta vizitojnë sidomos përfaqësuesit e disa shteteve që kanë mëdyshje ta mbështesin apo jo, propozimin e ndërmjetësit ndërkombëtar Marti Ahtisari, i cili rekomandon pavarësi të mbikqyrur për Kosovën.

Këtë deklaratë dhe këtë kërkesë, presidenti Sejdiu, e bëri pas një takimi që zhvilloi me qeverinë e Kosovës. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Agim Ceku, në një konferencë të përbashkët për media, thanë se në këtë fazë në të cilën ndodhet Kosova uniteti politik është mëse i domosdoshëm. Kryeministri Çeku tha se, qeveria e Kosovës është e gatshme që ta implementojë në tërësi marrëveshjen e statusit e cila pritet të dalë nga KS-it.

Kryeministri Agim Ceku, tha se pjesëmarrja e presidentit në një mbledhje të qeverisë bëhet me qëllim që të rikonfirmohet uniteti politik dhe institucional në Kosovë. Kjo për faktin që sipas tij, Kosovës në këtë fazë i nevojitet angazhim i rritur brenda Kosovës dhe jashtë saj për të jetësuar qëllim final, pavarësimin e Kosovës.