1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministria e Jashtme Gjermane e qetë ndaj ngritjes së komisionit hetimor për aferën e vizave

Anila Shuka, Berlin10 Nëntor 2004

Parregullsitë në dhënien e vizave në ambasadën gjermane në Tiranë janë bërë përsëri temë debati në arenën politike. Grupi parlamentar i opozitës kristiandemokrate e kristiansociale ka vendosur të ngrerë një komision hetimor. Me anë të tij synohet të shqyrtohet praktika e dhënies së vizave nga përfaqësitë gjermane në botë. Qeveria gjermane ka raguar të mërkurën e qetë ndaj këtij vendimi. Krahas ambasadës së Tiranës, objekt i kritikave kanë qenë më parë ambasada ruse dhe ajo ukrainase. Anila Shuka më hollësisht nga Berlini:

https://p.dw.com/p/Aqug

Qeveria gjermane ka reaguar e qete ndaj vendimit te grupit parlamentar opozitar per ngritjen e nje komisioni hetimor për të ashtuquajturin skandal të vizave:"Në se ka pasur parregullsi në gjithsej tre milionë vizat, që nxjerrim çdo vit, atëherë kanë qenë raste të veçanta. Ndaj tyre kemi reaguar menjëherë dhe energjikisht. Prandaj, po të ngrihet komisioni hetimor, do ta presim me qetësi," - tha të mërkurën në Berlin, zëdhënësi i ministrisë së jashtme Valter Lindner.

Historia që në opinionin gjerman njihet tani si "kriminalitet vizash", sipas raporteve te mediave, ka filluar kur me 23 maj, ne Bari të Italisë, u kapën dy persona me viza të lëshuara nga ambasada gjermane ne Tirane. Ata i kishte ftuar në Mynih, panairi fiktiv me emrin "Bau und Dach", qe në gjermanisht do te thote "Ndertim dhe çati". Pas kësaj, policia kufitare gjermane ka zbardhur të paktën dyqind raste të tilla. Formularët e garancive plotësoheshin në Shqipëri. Sipas mediave gjermane, që u referohen të dhënave të policisë kufitare, në Tiranë qarkullojnë rreth 600 formularë të tillë bosh. Për çdo vizë personat paguanin deri në 2000 Euro. Në skandalin e korrupsionit nuk kanë qenë të involvuar vetëm punonjësit shqiptarë, por edhe nëpunësit gjermanë të ambasadës. Prokuroria e Berlinit, që prej disa javësh ka hapur një proçes hetimor kundër tre prej tyre. Dy javë më parë ministria e jashtme doli me një dekret që i ashpërsonte rregullat e dhënies së vizave.

Nuk është hera e parë, që ambasadat gjermane bëhen objekt diskutimi për dorën e lëshuar të tyre në dhënien vizave. Më parë ishte fjala për një milionë vizash të nxjerra në ambasadën ukrainase, në bazë të një dekreti që njihet me emrin e ish-zëvendësministrit të jashtëm, Folmer. Dekreti u linte më shumë hapësirë konsullatave të jepnin vizën, edhe kur nuk ishte e qartë në se personi do të kthehej përsëri. Në këtë mënyrë në Gjermani kanë hyrë qindra mijëra, ilegalë, kriminelë, vajza të trafikuara, kritikon opozita. Që atëherë ajo kërcënoi me ngritjen e komisionit hetimor.

Tani me sa duket e ka seriozisht. Sipas drejtorit ekzekutiv të grupit opozitar të kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve në Bundestag, fon Kleden, kërkesa përkatëse do të parashtrohet javen e ardhshme. Shanset per te fituar nuk janë të vogla, pasi per ngritjen e nje komisioni te tille nevojitet vetem nje e katerta e votave.