1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Minoritetet mund të vendosin për qeverinë në Serbi

Bahri Cani11 Janar 2007

Me ndyshimin e ligjit zgjedhor në Serbi pritet që partitë e shqiptarëve, hungarezëve dhe boshnjakëve të luajnë një rol serioz ndoshta edhe vendimtar në krijimin e institucioneve serbe

https://p.dw.com/p/ArZq
Fotografi: AP

Dhjetë vitet e fundit partitë politike të minoriteteve në Serbi e kishin pothuajse të pamundur të futen në parlament, për shkak të ligjit zgjedhor dhe cenzusit prej pesë përqind të votave që duhej fituar.

Për herë të parë në Serbi po aplikohet një sistem zgjedhor, me të ashtuquajturin "cenzus natyror"(kuota e përqindjes së votave për futjen në parlament). Kjo do të thotë se partitë politike të minoriteteve do të futen në parlament, krahas fuqisë së tyre politike në komunitetin që i përkasin. "Në parlament do të kemi të paktën dhjetë deputetë të partive të pakicave kombëtare. Ndërkohë që përfaqësuesit e pakicave kanë kandidatë edhe në listat e disa partive apo koalicioneve serbe me orientim qytetar", pohon drejtori i agjencisë për Marrëdhënie me publikun, Prtagma, Cvijetin Milivojeviq.

Pas dhjetë vjet bojkotimi, për pjesëmarrjen në zgjedhje kanë vendosur edhe Partia për veprim demokratik dhe Unioni demokratik i Luginës së Preshevës. Lideri i koalicionit Riza Halimi, thotë se ata presin dy mandate. "Ky numër nuk mjafton për zgjidhjen e problemeve, por mundëson alarmimin shumë më të fuqishëm për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës", pohon Halimi.

Shqiptarët ndoshta do të fitonin edhe më shumë vende, por dy parti kanë vendosur që t'i bojkotojnë zgjedhjet. Të përçara janë edhe partitë e boshnjakëve dhe hungarezëve. Disa prej tyre do të dalin në zgjedhje me listat e veta, ndërsa të tjerat në koalicione me subjektet politike serbe. Lideri i Lidhjes së hungarezëve të Vojvodinës, Pal Shandor thotë se në emër të minoriteteve mund të flasin vetëm ato parti të cilat kandidojnë si përfaqësuese të tyre, dhe jo në koalicione me ndonjë subjekt serb.

"Tani të gjithë po flasin për të drejtat e minoriteteve. Kemi ardhur në një situatë absurde që policët në disa vende, për shembull, kanë filluar të mësojnë edhe gjuhën hungareze, në vend që në polici të punësohen 18 përqind e hungarezëve sa u takon. Ata nuk duhet të mësojnë hungarisht, sepse e kanë gjuhën e nënës", thotë Shandor. Mundësia që minoritetet të kenë 10 apo dhe më shumë deputetë, i ka bërë ato atraktive për të gjitha subjektet politike serbe.

Madje as radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel nuk e përjashtojnë mundësinë e koalicionit me përfaqësuesit e pakicave. Megjithatë, ato shprehen se janë më afër me partitë me orientim demokratik dhe proevropian. Dy liderët e boshnjakëve, Sylejman Uglanin dhe Rasim Lajiq janë të afërt me Vojisllav Koshtunicën respektivisht Boris Tadiqin. Hungarezët kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me partitë me orientim demokratik, ndërsa Riza Halimi pohon se edhe ata janë të hapur për koalicione.

"Pjesëmarrja në institucione na mundëson aplikimin më të shpejtë të programit qeveritar të vitit 2001 si dhe zgjidhjen e problemit të përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare", thotë, Halimi. Këtë gatishmëri të të dyja palëve për bashkëpunim Cvijetin Milivojeviq e shpjegon me interesat pragmatike.

"Natyrisht që të dy palët kanë interesat e veta dhe ato janë shumë korrekte. Ajo që është edhe më e bukur, ato janë interesa jetësore. Partitë boshnjake për shembull që prej vitit 2000 janë në pushtet: fillimisht Rasim Laiq e më vonë krahu tjetër i Sylejman Uglaninit. Më së shumti kanë përfituar qytetarët e Sanxhakut, sepse në Sanxhak ka pasur investime serioze në infrastrukturë, turizëm dhe sektorë të tjerë. Interesi i minoriteteve është përmirësimi i gjendjes së tyre në rajonet ku jetojnë. Edhe kësaj radhe do të jetë shumë e mundur që në parlament të vendosin votat e disa deputetëve. Mund të kemi një situatë shumë absurde që partitë me një apo dy deputetë të kenë po aq ministra në qeveri", pohon Milivojeviq.