1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miq apo armiq?

Petra Aldenrath19 Nëntor 2005

Marrëdhëniet amerikano-kineze janë të komplikuara

https://p.dw.com/p/ArNH
Gazetat në Kinë përshëndesin vizitën e Presidentit të ShBA Xhorxh Bush
Gazetat në Kinë përshëndesin vizitën e Presidentit të ShBA Xhorxh BushFotografi: AP

Në të vërtetë presidenti kinez Hu Xhintao duhej të shkonte në ShBA në muajin gusht. Por pikërisht në atë kohë ShBA përjetuan një nga katastrofat matyrore më të mëdha të globit: përmbytjen e New Orleans. Vizita shtetërore u anullua. Tani është presidenti amerikan Xhorxh W. Bush që do të vizitojë Republikën Popullore të Kinës. Më parë Bush ka qëndruar në Japoni dhe Seul nga ku i ka bërë thirrje Kinës për më shumë reforma politike dhe ekonomike. Në Kinë megjithatë kritikat e Bushit nuk konsiderohen të dëmshme për vizitën. Gazetat kineze e kanë përshëndetur sot presidentin amerikan me artikuj të gjatë miqësorë dhe faqe shtesë.

A është urrejtje apo dashuri? Marrëdhëniet mes Kinës dhe ShBA nuk mund të përshkruhen me një fjalë të vetme. Nga njëra anë shqetësimi amerikan për shpenzimet në rritje të Kinës për armatime dhe mungesa e transparencës për to rëndojnë raportin amerikano-kinez. Kësaj i shtohet dhe konflikti i gjatë për Taivanin dhe situata e të drejtave të njeriut në Kinë e kritikuar ashpër nga ShBA. Vu Xhianmin, ish ambasadori i Kinës në Paris, sot drejtor në universitetin për marrëdhënie ndërkombëtare, sheh megjithët me optimizëm drejt së ardhmes:"Ka tre rryma mendimi. E para: njerëzit e konsiderojnë Kinën kërcënim. Përfaqësuesit e rrymës së dytë e konsdierojnë vend mik dhe pala e tretë nuk është shumë e sigurt por pret se si do rrjedhin ngjarjet. Përfaqësuesit e rrymës së tretë përbëjnë edhe shumicën. Sidoqoftë, unë besoj se marrëdhëniet mes Kinës dhe ShBA janë në zhvillim e sipër. Një shembull për këtë është tregtia në rritje. Sigurisht që kemi diferenca në mendime por shumë njerëz thonë se kjo është e natyrshme në marrëdhënie partneriteti."

Në mars të këtij viti marrëdhënia amerikano-kineze pati një nga krizat më të thella. Qeveria kineze lëshoi atëherë një ligj i cili legjitimonte Republikën Popullore të Kinës për sulm kundër Taivanit nën mbrojtjen e ShBA, nëse ishulli do të shpallte pavarësinë. Por pas kësaj të dy shtetet u përpoqën të riparonin sa më shpejt krisjen në miqësinë e tyre. Që atëherë një numër ministrash të ShBA kanë pasuar njëri-tjetrin në Pekin. Gjatë udhëtimit të tij në Azi pak përpara vizitës në Kinë presidenti Bush i ka bërë thirrje asaj për më shumë demokraci por qeveria kineze ka reaguar me qetësi ndaj kësaj fyerjeje. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Liu Xhiançao u shpreh:"Kina vazhdon të ecë në rrugën e saj të zhvillimit paqësor. Ne kemi marrë konsiderata nga mbarë globi për zhvillimet në drejtim të të drejtave të njeriut. Sipas ligjit kinez njerëzit këtu gëzojnë të drejta demokratike dhe fetare. Çdo vend mund të hyjë në një dialog për të drejtat e njeriut bazuar në respektin reciprok dhe pa cënuar punët e brendshme të tjetrit."

Me pak fjalë kjo do të thotë: në çështjen e të drejtave të njeriut nuk pranojmë asnjë lloj diktati. Në asnjë vend tjetër të globit nuk përdoret aq shumë dënimi me vdekje sa në Kinë. Amnesty International flet për rreth 6000 ekzekutime vetëm gjatë vitit të kaluar. Shtypi e para së gjithash interneti censurohen rreptësisht dhe njerëzit që mendojnë ndryshe përfundojnë shpejt në burg.

Bashkëpunimi mes dy shteteve megjithatë nuk dëmtohet nga këto fakte. ShBA janë partneri tregtar numër dy i Kinës, menjëherë pas BE-së. Në vjeshtë zv/ministri i jashtëm amerikan, Robert Zoellick, bëri publike në Pekin strategjinë e re të ShBA ndaj Kinës. Sipas saj ShBA dëshirojnë ta përfshijnë Kinën si fuqi botërore më me forcë në përgjegjësinë politike ndërkombëtare. Kina është pjesë e sistemit ndërkombëtar dhe mbetet vetëm të gjehen rrugët e përshtatshme të bashkëpunimit me pjesëmarrësin e ri në politikën ndërkombëtare, u tha. Zëdhënësi për shtyp i ministrisë jashtme kineze Liu Xhiançao e konfirmon këtë strategji të re:"Presidenti Bush viziton tani Kinën. Shpresojmë që gjatë vizitës së tij të arrijmë më shumë pika të përbashkëta, të zgjerojmë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin dhe të ndërtojmë një marrëdhënie gjithëpërfshirëse kinezo-amerikane të shekullit të 21-të."

Pas zgjidhjes së konfliktit tregtar zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike do të luajë një rol qëndror gjatë vizitës së presidentit Bush në Kinë. Por të dyja fuqitë duan të bashkëpunojnë edhe në tema të tjera ndërkombëtare si lufta kundër terrorizmit apo zbutja e raporteve armiqësore mes Indisë dhe Pakistanit.