1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miratohet ligji për emigracionin në Greqi

Deutsche Welle4 Gusht 2005

Pas impenjimit të madh të të gjithë spektrit politik grek në çështjen e emigracionit, parlamenti grek miratoi ligjin përkatës. Ligji u miratua pa votën e opozitës

https://p.dw.com/p/Aqto
Pamje nga Athina
Pamje nga AthinaFotografi: Bilderbox


Parlamenti në Athinë miratoi ligjin e ri të emigracionit, që rakordon legjislacionin grek me atë të vendeve të BE-së. Në këtë mënyrë dhe emigrantët e Greqisë këtej e tutje do të kenë të drejtën të aplikojnë për leje qëndrimi pesë vjeçare duke filluar nga 2006, dhe jo nga viti 2009 siç parashikohej në projektligj. Ky ligj u miratua pas debatesh të ashpra mes pozitës dhe opozitës. Opozita socialiste votoi kundër, sepse ajo kërkonte ndryshime radikale në përmbajtjen e dispozitave ligjore, ndër to edhe njohjen e së drejtës së nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve
Ministri i brendshëm grek, Prokopi Sparopullos, arkitekt i ligjit, u detyrua të ulë tonet e entuziazmit të tij, përballë kritikave ndaj projektligjit dhe trajtim johuman të emigrantëve. Ai pranoi si të drejtë vërejtjen e komisionit shkencor për mospajtim me legjislacionin komunitar. Ndërkohë që kryetari i opozitës greke, Papandreu shkaktoi habi në opinionin grek me propozimet e tij, që t'u jepet e drejta e nënshtetësisë greke të gjithë fëmijëve të emigrantëve që lindin në Greqi, kurse me shtatë vjet qëndrimi aty të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale.