1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Misioni i OKB në Qipro vazhdon

Aida Cama
4 Gusht 2018

Këshilli i Sigurimit e zgjati së fundi mandatin e misionit për Qipron edhe gjashtë muaj pa ndryshime serioze, duke pasur probleme me vendimet për gjetjen e një roli më efikas ose për reduktimin e tij deri në mbyllje.

https://p.dw.com/p/32crf
UN-Sicherheitsrat
Fotografi: picture-alliance/Photoshot/Li Muzi

Filluar më 1964, misioni paqeruajtës i OKB në Qipro është një prej më të vjetërve të OKB-së,  dhe përbëhet aktualisht nga 807 persona, kryesisht ushtarakë dhe policë, por edhe civilë që financohen me 57 milionë dollarë në vit.

Bisedimet për unifikimin e ishullit janë ndërprerë verën e kaluar pa ndonjë shans aktual për rifillim. Bisedimet e unifikimit bllokohen si nga pala greke ashtu edhe nga ajo turke.

Pasuria mollë sherri

Tensioni është rritur edhe më shumë për shkak të zbulimeve të reja të burimeve natyrore. Qiproja greke i ka dhënë firmave franceze dhe italiane të drejtat e shpimit, dhe ato kanë punuar jo vetëm në brigjet e Qipros greke. Në muajin shkurt kompanitë zbuluan rezerva të konsiderueshme të gazit natyror. Turqia dërgoi anijet luftarake të pengonte shpimet, duke thënë se mbron të drejtat e qipriotëve turq, që nuk janë përfshirë në procesin e shfrytëzimit të burimeve. Qipriotët turq kërkojnë po ashtu të përfitojnë nga burimet e hidrokarbureve.

Kontradiktat për hidrokarburet kanë ndikuar tek bisedimet dhe zhvillimet politike që më 2011, kur u bënë zbulimet. Bisedimet u ndërprenë më 2014 për shkak të mosmarrëveshjeve për këtë çështje.

Asnjë hap përpara

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres ka bërë disa herë të qartë se OKB-ja është e gatshme të ofrojë ndihmën, nëse ajo kërkohet nga palët. E dërguara e posaçme Elisabeth Spehar, është takuar disa here me palët, por palët vetë janë takuar vetëm një herë me njëra tjetrën, në muajin prill.

Në raportin e Gueterres për gjendjen në Qipro thuhet se besimi i komuniteteve tek udhëheqësit e tyre ka rënë. Ka 50 vjet që kërkohet zgjidhja e çështjes dhe ajo nuk arrihet. Edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së po tregon se nuk di si të veprojë për të sjellë ndryshimet që do të çojnë në mbylljen e misionit, dhe vazhdon me zgjatjen e tij çdo gjashtë muaj.

Britania e Madhe, Franca dhe Rusia anëtare të Këshillit të Sigurimit e ndjekin me shumë interes gjendjen në Qipro. SHBA kërkon zgjidhjen e çështjes së Qipros dhe interesat e saj ndaj ishullit janë shtuar për shkak burimeve të hidrokarbureve dhe pozicionit strategjik në luftën kundër terrorizmit.

Britania e Madhe kërkon stimulimin e bisedimeve dhe shtimin e presionit ndaj palëve që të vazhdojnë bisedimet. Rusia kundërshton dhe thotë se nuk duhet ushtruar presion mbi palët procesi duhet të drejtohet prej qipriotëve dhe zhvillohet prej tyre në mënyrë që rezultati të ketë efekt.