1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mitrovica - udhëkryqi i Kosovës

Bahri Cani3 Janar 2006

14 personalitete të njohura publike të Mitrovicës kanë kërkuar që në këtë qytet të vendoset ministria e rendit dhe e drejtësisë. Kjo ka bërë që të ridalin në pah problemet e shumta në këtë komunë të ndarë

https://p.dw.com/p/AqrS
Mitrovica, dikur nën tym, sot e ndarë
Mitrovica, dikur nën tym, sot e ndarëFotografi: AP

Ideja për vendosjen e dy ministrive të ardhshme të Kosovës në qytetin e ndarë të Mitrovicës është kundërshtuar prej institucioneve kosovare dhe palës serbe. Por me argumenta të ndryshme. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, thotë se në pjesën veriore të Mitrovicës duhen ndërmarrë hapa juridikë dhe politikë: "Në pjesën veriore të Mitrovicës nuk respektohet ligji dhe rendi. Ligji i vetëm në këto pjesë janë grupet e ndryshme ilegjitime ose të armatosura. Pra fillimisht duhet vendosur rendi e më vonë duhet gjetur edhe një zgjidhje politike e cila nënkupton riintegrimin e Mitrovicës në sistemin e Kosovës", pohon Kosumi.

Megjithatë kryeministri Kosumi, shprehet kundër idesë së 14 intelektualëve që në Mitrovicë të vendosen selitë e ministrisë së punëve të brendëshme dhe drejtësisë. Këtë ide e kundërshton edhe anëtari i grupit negociator serb për statusin e Kosovës Goran Bogdanoviq, por me shpjegim tjetër: "Pala serbe ka kundërshtuar edhe krijimin e ministrisë së punëve të brendëshme dhe të drejtësisë. Nuk e shoh aspak të arsyeshme që ndonjë ministri të vendoset në Mitrovicë. Kjo është vetëm edhe një përpjekje e palës shqiptare për mashtrimin e opinionit ndërkombëtar dhe në radhë të parë të atij serb. Ne do të ndërmarrim të gjitha masat kundër një mundësie të këtillë", pohon Bogdanoviq, duke shpjeguar se me këto masa nënkupton mjetet e lejuara demokratike.

Akademiku më i njohur i gjallë serb, Dobrica Qosiq, në librin e tij të fundit për Kosovën, propozon arritjen e një marrëveshje historike me shqiptarët, e cila nënkupton ndarjen etnike. Propozime të ngjashme janë dëgjuar edhe prej akademikëve dhe intelektualëve të tjerë serbë. Në këto propozime, pjesët e pasura të Mitrovicës do të duhej t'i takojnë Serbisë. Pala shqiptare i kundërshton këto propozime, me shpjegimin, se Kosova e tërë duhet të jetë shtet i pavarur. Ndarjen e kundërshton edhe Goran Bogdanoviq, por me një argumentim tjetër. "Ne nuk duam t'a ndajmë Kosovën dhe Metohinë, sepse atë e konsiderojmë pjesë të Serbisë", thotë ai.

Përsa i përket zgjidhjes së çështjes së Mitrovicës, Bogdanoviq shprehet: "Zgjidhja mund të arrihet përmes negociatave për statusin përfundimtar dhe decentralizimit të pushtetit. Ky problem nuk është aq i madh sa prezantohet, sepse Mitrovica ëshë qyteti i vetëm multietnik në Kosovë".

Decentralizimin e pushtetit dhe krijimin e dy entiteteve në Kosovë, e ka kërkuar edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq. Goran Bogdanoviq thotë se pala serbe e mbështet këtë propozim, duke shtuar se ata duan që të gjitha komunat me shumicë serbe të lidhen mes vete dhe të jenë të lidhura drejtëpërsëdrejti me Serbinë. Ndërsa i pyetur se çfarë duhet bërë për bashkimin e Mitrovicës, Bogdanoviq përgjigjet: "Duhet të respektojmë gjendjen faktike në Mitrovicë, sikurse edhe në Prishtinë. Serbët duhet të kenë komunën e tyre. Është më pak e rëndësishme, nëse pjesa veriore do të shpallet komunë më vete ose do t'i bashkohet komunës së Zveçanit. Por e duam komunën tonë dhe duam që të vendosim vetë për fatin tonë. Nuk duam të varemi prej të tjerëve, në radhë të parë jo prej shqiptarëve".

Çështja e decentralizimit do të jetë një prej temave më të rëndësishme në negociatat e ardhshme për statusin përfundimtar të Kosovës. Takimi i radhës është planifikuar të zhvillohet me 20 janar në Vjenë.