1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mjaft e rëndësishme është edhe se ç'qëndrim mbajnë lojtarët e tjerë të mëdhenj apo të mesëm

VFB6 Mars 2009

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s ranë dakord në takimin e tyre të enjten (05.03) në Bruksel për rifillimin e dialogut dhe rivënien në funksionim të Këshillit NATO-Rusi.

https://p.dw.com/p/H6pJ
Megjithë kundërshtimin e vendeve anëtare evropiano-lindore rivendoset bashkëpunimi në Këshillin NATO-Rusi
Megjithë kundërshtimin e vendeve anëtare evropiano-lindore rivendoset bashkëpunimi në Këshillin NATO-RusiFotografi: AP GraphicsBank/DW

Në shtypin gjerman të së premtes komentohet vendimi për rigjallërimin e dialogut në Këshillin NATO-Rusi. Ky bashkëpunim u pezullua pas ndërhyrjes së Rusisë në Gjeorgji.

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "Një bashkëpunim më i mirë mes Berlinit dhe Uashingtonit është padyshim i dëshirueshëm. Megjithatë të bie në sy që fuqitë kryesore të Perëndimit aktualisht bëjnë sikur për shmangien e shumë problemeve në botë mjafton që Amerika dhe Evropa të flasin sërish me një zë. Në të vërtetë është mjaft e rëndësishme se ç'qëndrim mbajnë lojtarët e tjerë të mëdhenj apo të mesëm: Rusia dhe Irani - të dyja këto raste që e preokupojnë NATO-n - si dhe fuqitë aziatike si Kina dhe India, që kanë zhvillime të vrullshme. Pikërisht Rusët javën e kaluar vendosën disa kushte të qarta: ata duan të bashkëpunojnë me NATO-n në Afganistan, vetëm nëse pranohet hapësira post-sovjetike."

Gazeta "Neues Deutschland" komenton: "Në të ardhmen duhet të bashkëpunojmë sërish në mënyrë konstruktive, theksoi Hillary Clinton. Një shenjë e parë e dukshme është rivendosja e bashkëpunimit në Këshillin NATO-Rusi, që u arrit pavarësisht kundërshtimit të vendeve anëtare evropiano-lindore. Kryesisht nën presionin e qeverisë së Bushit aleanca e pezulloi në mënyrë të njëanshme dialogun pas konfliktit në Kuakaz vitin e kaluar. Kthimi në normalitet përshëndetet në Moskë si "fitore e arësyes së një mendjeje të shëndoshë" - dhe në fakt kjo është një premisë për zgjidhjen e problemeve urgjente në aspektin e politikës së sigurisë, qofshin ato globale apo rajonale. Se sa do të zgjasë moti i shkrirjes së akullit, kjo mbetet të shihet. Sepse nga Hillary Clinton u dëgjua dje të thoshte edhe se NATO-ja vazhdon t'i mbajë të hapura dyert për vende si Gjeorgjia dhe Ukraina. Kjo vështirë se pritet me dashamirësi në Moskë."