1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

- Mosha e pensionit 70 vjeç - Partia demokristiane gjermane hidhet në fushatë me ekip bajat

PP11 Gusht 2005
https://p.dw.com/p/AruI
Parqeve të Gjermanisë të ze syri më tepër pensionistë sesa fëmijë
Parqeve të Gjermanisë të ze syri më tepër pensionistë sesa fëmijëFotografi: AP

Nga temat që trajton shtypi i sotëm gjerman zgjodhëm disa artikuj që trajtojnë propozimet e bëra në lidhje me rritjen e moshës së daljes në pension në Gjermani, si dhe çështjen dominuese në mediet gjermane, mundësinë për organizimin e zgjedhjeve të parakoshme.

Në lidhje me propozimet e presidentit të Institutit Gjerman për Studime Ekonomike, që për të zgjidhur problemet me arkat e pensioneve në vend duhet të rritet mosha e daljes në pension, në gazetën "Express" që botohet në Këln lexojmë:

"Në moshën 69 vjeç të vazhdosh të punosh në konvejer? Në moshën 72 vjeçare të vazhdosh të punosh me orar të reduktuar, sepse nuk të del pensioni? Propozimet e presidentit të Institutit Gjerman për Studime Ekonomike, prof. Zimmermann tingëllojnë si një shaka e keqe. Ç'do të thonë pallavrat për daljen në pension në moshën 70 vjeç, kur për shkak të gjendjes së tensionuar në tregun e punës shpesh nuk gjejnë punë as 50 vjeçarët? Eshte absurde të besosh që firmat do t'i mbajnë në punë punonjësit e tyre deri sa të mbushin 70 vjeç, vetëm sepse ligjvënësi do t'i financojë pensionet në këtë formë. Bëhet fjalë për të ngritur moshën e daljes në pension, e cila është nën 65 vjeç dhe Zimmermanni ndoshta ka një qëllim tjetër me idenë e vet. Sa më e lartë të jetë mosha e daljes në pension, aq më tepër mund të shkurtohen pensionet e atyre që dalin në pension përpara kohe."

Po për këtë temë në gazetën "Süddeutsche Zeitung" lexojmë:

"E vërteta për pensionet nuk është e qartë. Problemet e vërteta pritet të vijnë. Pasojat e plakjes së popullsisë në Gjermani nuk po ndihen ende. Në disa rajone ndoshta ka kopshte fëmijësh që kanë mbetur bosh dhe nëpër rrugë sheh më tepër pleq se të rinj. Por prova e zjarrit do të fillojë nga viti 2010, kur brezat me fertilitet të lartë do të fillojë të dalin në pension. Për financimin e pensioneve të tyre do të jenë në dispozicion gjithnjë e më pak të rinj. Për këtë duhet që politikanët t'i përgatisin njerëzit me kohë. Ata duhet t'u thonë atyre që punojnë, që në të ardhmen do t'u duhet të punojnë më gjatë. Dhe pensionistëve që do të kenë shkurtime. Të rinjve dhe moshave të mesme duhet t'u bëjnë të qartë që duhet të kujdesen më tepër individualisht për pensionet, sepse arkat e pensioneve do të mund t'u paguajnë në të ardhmen vetëm më të domosdoshmet. Sigurisht që këto nuk janë mesazhe të këndshme për t'u përhapur në fushatën elektorale. Por fjalët e mëdha dhe punët e vogla nuk i vijnë në ndihmë sistemit të pensioneve."

Ndërsa në gazetën "Abendzeitung" të Mynihut lexojmë:

"Edhe pse ideja e hedhur që mosha e daljes në pension të jetë 70 vjeç tingëllon si një horror i vërtetë, në rast se e shikon me kujdes ky propozim nuk është aq i tmerrshëm. Së pari sistemi i pensioneve në Gjermani është aq i sëmurë sa shkurtimet e ndërmarra deri tani nuk mjaftojnë. Në rast se nuk e stabilizojmë në 20 vitet e ardhshme ai nuk do të jetë më në gjendje që të financohet. Nga ana tjetër jetëzgjatja mesatare në Gjermani po shënon rritje dhe njerëzit janë të shëndetshëm megjithë moshën e thyer. Në këto kushte prej tyre mund të kërkohet që të punojnë më gjatë. Nëse mosha e daljes në pension duhet të jetë 70 vjeç, kjo është diçka tjetër. Gjithsesi ky propzim vë në lëvizje një proces të menduari që është i domosdoshëm sidomos për firmat. Firmat duhet të mendojnë se si t'i kualifikojnë punonjësit në moshëm mbi 50 vjeç, në vend që t'i nxjerrin para kohe në pension. Sepse në të ardhmen nuk do të ketë më aq shumë të rinj, që t'i punësosh me rroga të ulta."

Edhe pse ende nuk është vendosur përfundimisht nëse në Gjermani do të ketë apo jo zgjedhje të reja, partitë kanë filluar me fushatën elektorale, duke prezantuar jozyrtarisht kandidatët e mundshëm. Në lidhje me përgatitjet e CDU-së për këto zgjedhje, në gazetën e Erfurtit "Thüringer Allgemeine" lexojmë:

"Emrat që po dëgjohen deri tani për ekipin e ri të Angela Merkelit tingëllojnë të vakët. Qoftë Shoible, Bekshtain, Shavan apo Althaus, për askënd nuk i shkon ndër mend askujt të thotë, aha! Madje edhe në radhët e biznesit shikon fytyra të thartuara sikur kanë kafshuar ndonjë limon. Kjo shpjegon edhe ngurimin e zgjedhësve si dhe luhatjet e forta në kurbat e anketimeve."