1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshjet për buxhetin e BE dhe atmosfera pozitive në ekonominë gjermane - tema të shtypit gjerman të së shtunës

16 Dhjetor 2005
https://p.dw.com/p/ArsL

Mosmarrëveshjet dhe zvarritjet në takimin e nivelit të lartë të BE për buxhetin e ardhshëm i kanë shtyrë komentatorët e shtypit gjerman që të reflektojnë në përgjithësi për këtë gjendje të BE. Një temë tjetër është atmosfera pozitive në ekonominë gjermane.

FRANKFURTER RUNDSCHAU e hedh vështrimin në drejtim të BE dhe vjen në përfundimin:

"BE mund të mbijetojë si model suksesi vetëm atëherë, nëse arrin që ta fiksojë tregun e brendshëm në marrëveshje sociale. Edhe për këtë kërkohet, vec parave, gatishmëria e shteteve anëtare për më tepër dhe jo më pak bashkëpunim dhe solidaritet...Me kushtetutën e BE Evropa u nis rrugës për atje, por mosmarrëveshja financiare tregon se sa e largët është kjo rrugë, nëse do të vendoset që të ecet në të."

Ndërsa në STUTTGARTER NACHRICHTEN ndër të tjera lexojmë:

"Të rënat dhe pickimet për rabatin britanik dhe ndihmat për fshatarët mund të jenë një parashije e hidhur për luftërat e ardhshme të ndarjeve, nëse BE nuk arrin të krijojë një burim të vetin të besueshëm financiar. Megjithëse thirrja për një taksë për Evropën aktivizon efekte mbrojtëse te të gjithë kundërshtarët e shpenzimeve të reja, mund të rezultojë me kuptim që sektorë të caktuar, si qarkullimi ajror ose bizneset financiare evropiane të shoqërohen me një taksë të BE. Mosmarrëveshjet për kuadrin financiar 2007 deri 2015 të shtyjnë për t'i rimenduar punët nga e para."


MINDENER TAGBLATT konstaton:

"Bashkësia e prezantoi veten edhe njëherë si një grumbull egoistësh që grinden për para. Ajo që mund të quhet politikë interesash dhe padyshim politikë në interes të taksapaguesve të përfaqësuar, është edhe përpjekje egoiste për të fituar pikë me grindje pazari. Absurdja është se një politikë e tillë e BE nuk është e përshtatshme që t'u hapë qytetarëve të bashkësisë perspektivën e vështrimit për një bashkësi edhe më të gjerë."


FRANKFURTER NEUE PRESSE bën bilanc:

"Në grindjen financiare të ditëve të shkuara, del në pah thelbi i problemit. BE nuk mundej dhe nuk donte të vendoste se ku duhet të përfundojë integrimi i BE: në një shtet supranacional apo në një shoqatë liberale të tregtisë së lirë."

Së fundi për këtë temë edhe LANDESZEITUNG, që del në Lyneburg:

"Fjalimet e të dielave nuk kanë munguar, kur BE u zgjerua nga 15 në 25 shtete anëtare...Pasojat financiare janë ndërkohë të konsiderueshme, falas ky zgjerim nuk bëhet. Dhe fjala nuk është vetëm për para, por shumë më tepër për një akt të solidaritetit evropian me ekonomitë popullore, të cilat ecnin drejt rrënimit pas perdes së hekurt në vitet pas planit Marshall. Në këtë kuadër, të duket edhe për të ardhur turp fakti që kombet e pasura të Evropës ngulin këmbë me kokëfortësi në pronat e tyre të trashëguara."

Ndërrojmë temë. Atmosfera në ekonominë gjermane është kaq e mirë sa nuk ka qenë prej vitesh. 7 mijë sipërmarrje të angazhuara e vlerësojnë gjendjen e tyre aktualisht më mirë se në nwnwtor:

SÜDWESTPRESSE që del në Ulm shkruan:

"Ekonomia gjermane po eceën me vrull në metrat e fundit të vitit 2005. Kaq shumë optimizëm sa në dhjetor nuk ka pasur më prej kohësh. Sipërmarrësit dhe menaxherët me sa duket kanë rënë në paqe me qeverinë zi e kuq. Shanset janë të mira që edhe brenda vitit të ndërmerren investime, të frenuara me vite të tëra edhe nga zhgënjimi për republikën e bllokuar politikisht. Kështu konjuktura mund të ketë një pikë tjetër mbështetëse, krahas eksportit që ecën në mënyrë të shkëlqyer. Edhe shtimi i porosive i rritur së fundi në mënyrë të konsiderueshme flet për këtë drejtim."

ABENDZEITUNG që del në Mynih shënon:

"Shumëcka flet për atë që ekonomia gjermane do të dalë nga e tatëpjeta, të paktën në vitin 2006. Por që të ndodhë më shumë, duhet të ndodhin edhe më shumë gjëra: qeveria duhet t'i shtyjë përpara reformat. Firmat duhet të punësojnë sërish njerëz dhe jo vetëm t'i pushojnë ato nga puna. Konsumatorët- ne të gjithë - duhet të bëhemi sërish optimistë. Lë të shënojmë një fillim: ka një lajm të mirë- le të gëzohemi për këtë."


GENERAL ANZEIGER e Bonit tërheq vëmendjen:

"Vetëm nëse sipërmarrjet do të heqin dorë nga kursi i tyre i kursimeve, rriten edhe shanset për një rritje ekonomike të vërtetë. Pastaj pasojnë - të paktën në teori - punësimet, rritjet e rrogave dhe më në fund edhe konsumatorët ngurues do të fillojnë të shpenzojnë sërish para. Shumë kohë për një zhvillim të tillë nuk mbetet. Deri në vitin 2007 ekonomia duhet të vihet në lëvizje, sepse në atë kohë do të hyjë në fuqi ngritja e taksës mbi vlerën e shtuar, e cila mund të ketë efekte ngadalësuese.