1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Motive fetare - Sulm i përgjakshëm në gjykatën e lartë administrative në Ankara

Jërg Pfuhl18 Maj 2006

Sulmi i së mërkurës në gjykatën e lartë administrative në Turqi në Ankara duket se ka pasur motive fetare. Si pasojë e të shtënave u plagosën pesë gjyqtarë, njëri në gjendje kritike

https://p.dw.com/p/ArLV
Parlamenti turk
Parlamenti turkFotografi: AP

Gjykata e lartë administrative në Turqi ndodhet në zemër të Ankarasë dhe është një nga godinat më të mbrojtura. Por atentatori duket se kish gjetur aksesin për në godinë me një pistoletë që ishte përgatitur kryesisht me lëndë plastike. Sipas dëshmitarëve okularë paraditen e së mërkurës zhvillohej një proces në katin e tetë të gjykatës, në kohën që atentatori qëlloi në drejtim të podiumit të gjyqtarëve.

Kryegjyqtari, Mustafa Birden u plagos në bark, kolegu i tij në kokë dhe që të dy ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Nga të shtënat u plagosën edhe dy gjyqtarë të tjerë. Atentatori mendohet se ka aktivizuar dy karikatorë, pra ka qëlluar gjithsej me 20 plumba. Më pas ai mundi të ndalohet prej forcave të sigurisë.

Mediat në Turqi janë relativisht të sigurta, se atentatori ka pasur motive fetare. Gjyqtari Mustafa Birden konsiderohet si një përfaqësues i vijës së fortë të qemalistëve. Kolegji i dytë i tij trajton tema të ndjeshme politike në Turqi si p.sh. ndalimin e përdorimit të shamisë së kokës për vajzat nëpër shkolla dhe universitete. As mësuesit dhe as nxënëset në Turqi nuk lejohen të përdorin shaminë e kokës nëpër shkolla.

Në shkurt një gjykatë me vendimin e shqiptuar shkon edhe më tej duke mos lejuar ngritjen në përgjegjësi të një mësueseje, pasi ajo përdorte shaminë e kokës jo vetëm në shkollë, por edhe privatisht. Me këtë ajo jep një "shembull negativ" për të rinjtë, ka argumentuar trupi gjykues. Gazeta islamiste "Vakit" pas kësaj botoi një faqe të tërë gazete me emrin e gjyqtarit dhe me komentin, se këta janë të paudhët. Por një vendim i tillë është kritikuar edhe nga qeveria turke me frymëzim islamik duke e cilësuar atë si "të gabuar dhe të rrezikshëm" si në kohën e "regjimeve autoritare dhe diktatoriale".

Pikërisht kjo ka shërbyer edhe si thirrje për atentatin e së mërkurës, mendon udhëheqësi i opozitës, Deniz Bajkal: "Në shënjestër të sulmit nuk kanë qenë vetëm gjyqtarët, por e gjithë gjykata dhe kushtetuta e vendit."

Sipas mediave në Turqi atentatori ndërkohë e ka pranuar akuzën duke pohuar se është përpjekur qysh të martën të vrasë kryegjyqtarin Birden, që për fat të keq s´ia ka dalë mbanë, siç thotë ai.