1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

• MPJ gjerman Joshka Fisher shprehet përpara Komisionit Parlamentar për çështjen e vizave • BE-ja dhe Rumania e Bullgaria nënshkruajnë marrëveshjen për anëtarësim

PP26 Prill 2005
https://p.dw.com/p/Arvn
MPJ Joshka Fisher në shënjestër të Komisionit Parlamentar dhe të medieve
MPJ Joshka Fisher në shënjestër të Komisionit Parlamentar dhe të medieveFotografi: AP

Shtypi i sotëm gjerman sikurse të gjitha mediet në përgjithësi dominohet nga një temë, deklaratat e MPJ gjerman Joshka Fisher përpara Komisionit Parlamentar për çështjen e vizave. Në komente dominon mendimi se më tepër se sa shpërdorimet me vizat, e gjithë çështja po shfrytëzohet për qëllime elektorale.

Citojmë fillimisht nga gazeta "Darmstädter Echo":

"Secili ndjen të vërtetuara paragjykimet e veta. Kjo të nervozon dhe s'i hyn në punë askujt. Çështja e aferës së vizave është diskutuar dhe stërdiskutuar dhe interesi për të nuk është i madh. Madje edhe më të zellshmit në radhët e opozitës nuk i fryjnë më prushit të zemërimit nisur prej bindjeve politike, por për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve për parlamentin e landit NRW. Dhe vetëm për këtë bëhet e gjitha."

Gazeta "Fränkischer Tag" që botohet në Bamberg shkruan:

"Fisheri po lufton, sepse po i bie numri i simpatizantëve në Gjermani. Ajo që e gërryen më tepër politikanin deri sot më popullor të Gjermanisë, është se e kishte nënvleftësuar faktin, se afera e vizave mund të kishte efekte të tilla. Fisherit, që mendon në kategori globale, i duhet papritur të merret me gjëra administrative, që deri dje i quante poshtë nivelit të tij. Fisheri e pranoi tani gabimin por gjatë seancës së sotme hodhi po aq shumë baltë edhe në fytyrat e kundështarëve të vet."


Gazeta "Die Welt" mban qëndrim kritik ndaj taktikës së ministrit në Komisionin Parlamentar:

"Fisheri po përpiqet të përdorë marifetin dialektik: formalisht isha unë përgjegjës, por nuk është se ka ndodhur ndonjë dëm për të cilin duhet të më kryqëzoni. Por ky marifet nuk funksionon përpara komisionit dhe Fisherit i duhet të ulë kokën dhe të lexojë dosjet. Në shumë raste atij nuk i kujtohet më se kur dhe përse e kanë informuar. Ai nuk e ka idenë se përse nuk u morën parasysh paralajmërimet e Ministrit të Punëve të Brendëshme. Ajo që Fisheri e harron gjatë gjithë kësaj akrobacie me kujtesën është se ai lë pas përshtypjen e një ministri që nuk e ka nën kontroll ministrinë e vet. Kjo ndoshta mund të jetë taktika për të mund t'u tërhequr prej përgjigjeve për pyetjet precize. Por kjo ka çmimin e vet, sepse në fund të fundit nuk bëhet më fjalë për përgjegjësinë politike, por për atë personale."

Me nota kritike ndaj fjalës së ministrit Fisher përpara Komisionit Parlamentar shprehet edhe gazeta "Mannheimer Morgen":

"Joshka Fisher foli shumë, por tha pak. Strategjia e tij që t'i referohej praktikës së lehtësimit të vizave të filluar që në kohën e Helmut Kohlit dhe të tematizonte problemet në lidhje me vizat në kohën e paraardhësve të tij Gensherit dhe Kinkelit, është tepër ashiqare dhe kërkon të tërheqë vëmendjen nga pyetja vendimtare, se përse nuk e informuan bashkëpunëtorët e vet për shtimin dramatik të vizave të dhëna padrejtësisht në Kiev dhe përse e la kaq kohë pa mbështetje ambasadën gjermanë në Ukrainë. Mungesa e komunikimit brënda digasterit që drejton Fisheri, burokracia e letërkëmbimeve mes ambasadave dhe qendrës në Berlin, rivalitetet mes sektorëve dhe drejtorive si dhe grindjet për kompentenca mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme, të gjitha këto hedhin një dritë në strukturat e brendshme të MPJ, që duket se ka zhvilluar një jetë të sajën të brendshme, që s'mund të kontrrollohet më."

Në fund citojmë nga gazeta "Main-Echo" që botohet në Aschaffenburg në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së anëtarësimit mes BE-së dhe Rumanisë dhe Bullgarisë:

"Vetëm me ngadalë në Bruksel po krijohet bindja se automatizimi i anëtarësimit mund ta zgjerojë BE-në në një masë të rrezikshme. Që sot burokracia dhe distanca ndaj qytetarëve kanë arritur përmasa kritike. Ambicia kokëfortë për ta zgjeruar më tej BE-në e pengon thellimin e bashkësisë dhe i tremb shumë qytetarë. Pakënaqësia e përgjithshme ndaj anëtarëve të ardhshëm Rumanisë dhe Bullgarisë duhet të jetë paralajmërimi i fundit që përveç anëtarësisë së plotë të zhvillohet edhe modeli i partneritetit. Ai që nuk mund të bëhet anëtar i BE-së nuk ka pse të mbetet automatikisht jashtë. Ajo që kërkohet është një rrugë e tretë mes anëtarësimit dhe izolimit."