1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mrekullia e reformave në Sllovaki ka marrë një goditje të fortë

Christoph Scheffer5 Prill 2004

Nacionalisti Meçiar është favoriti për postin e presidentit në Sllovaki

https://p.dw.com/p/ArHj
Ish-kryeministri sllovak dhe kandidati për president Vladimir Meçiar
Ish-kryeministri sllovak dhe kandidati për president Vladimir MeçiarFotografi: AP

Nacionalisti i kontestuar njëkohësisht ish-kryeministri sllovak Vladimir Meçiar fitoi në mënyrë të papritur të shtunën e kaluar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki. Edhe kandidati i dytë në zgjedhjet e balotazhit pas dy javësh, Ivan Gasparoviç, i përket kampit nacionalist.
Presidenti i ardhshëm sllovak do t'i përkasë kampit nacionalisto-populist. Kjo u bë e qartë pas raundit të parë të zgjedhjeve të shtunën e kaluar. Në përmbajtje nuk do të ketë ndryshim të madh nëse fitues do të jetë Vladimir Meçiar apo Ivan Gasparoviç. Të dy politikanët mbështetën në mënyrë aktive në fillim të viteve '90 ndarjen e Sllovakisë nga Çekia dhe janë mbështetës të viteve të errëta të sundimit të partisë së Meçiar-it HZDS deri në 1998 e cila u karakterizua nga korrupsioni, makinacionet kriminale dhe izolimi i pakicave etnike.

Nëse Meçiar fiton zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen më 17 prill situata do të bëhej mjaft pikante pasi për NATO-n dhe BE-në Sllovakia nën qeverisjen e Meçiar-it si kryeministër nuk ishte kandidat i pranueshëm për anëtarësim. Por tani vendi sapo është pranuar në NATO dhe pranimi në BE më 1 maj të këtij viti është çështje e përfunduar. BE-së dhe NATO-s iu duhet tanimë të pranojnë një kryetar shteti në Sllovaki me emrin Meçiar. Ai nuk do të ishte megjithatë përfaqësuesi i parë i një vendi anëtar të BE-së për bindjet demokratike të të cilit ekzistojnë shumë dyshime. Mjafton të sjellim këtu ndër mend Jërg Haiderin në Austri apo edhe vetë kryeministrin italian Silivio Berluskoni.

Por edhe Ivan Gasparoviç - kundërshtari i Meçiarit në zgjedhjet e balotazhit - vjen nga rrethi i ngushtë i Meçiarit dhe vetëm dy vjet më parë është shkëputur me partinë e tij thjesht për llogari oportuniste. Avantazhi i tij i vetëm është që nuk quhet Meçiar dhe është më pak i njohur e i përfolur në Evropë.

Por kushdo që t'i fitojë zgjedhjet e balotazhit, rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki mbetet në çdo rast një sinjal alarmues dhe kjo për të gjithë BE-në. Mbështetja e papritur e zgjedhësve sllovakë për dy kandidatë nga kampi nacionalisto-populist është një reagim proteste ndaj reformave të vështira që u kërkuan nga Sllovakia për të shkurtuar distancën që e ndan nga BE-ja.
Qeveria e qendrës së djathtë nën drejtimin e Mikulas Xhurindës ka kryer vitet e kaluara një maratonë maramendëse reformash: fleksibilizimi i tregut të punës, shkurtime drastike në shërbimet sociale, privatizimi i kujdesit për të moshuarit dhe futja e një tatimi të njësuar mbi të ardhurat prej 19% që lehtëson barrën fiskale për të pasurit dhe rëndon ata me të ardhura më të ulëta. Sukseset që rezultuan prej saj në ardhjen e firmave të huaja nuk mundën të kompensonin vështirësitë sociale më të cilat duhet të përballet pjesa më e madhe e popullsisë.
Paralelisht me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale u zhvillua dhe një referendum i kërkuar nga sindikatat për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme me të cilat synohet të ndalohet reforma sociale e ndërmarrë nga qeveria. Referendumi dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët por zgjedhësit sllovakë e shprehën ndryshe protestën e tyre kundër reformave neoliberale duke dhënë votat e tyre për populistët Meçiar dhe Gasparoviç.

Mrekullia e admiruar e reformave në Sllovaki ka marrë kështu një goditje të rëndë dhe më e keqja është se sllovakët alternativën politike ndaj qeverisë aktuale nuk e shohin në qendrën e majtë e cila në Sllovaki pothuaj është zhdukur por në figura të tilla si Vladimir Meçiar i cili në të kaluarën pati fituar famën e burrit të fortë të shtetit në kurriz të të drejtave të qytetarëve dhe pakicave.

Për Evropën kjo do të thotë: kujdes! Galopi neolioberal i shoqëruar nga injorimi cinik i pasojave sociale forcon ato forca politike që nuk kanë në fakt vend në një Evropë të bashkuar demokratike. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Sllovakinë.