1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mustafaj përshëndet propozimin e Ahtisaarit

Arben Muka27 Mars 2007

Varianti i pavarësisë së mbikqyrur nuk prek thelbin e pavarësisë për Kosovën

https://p.dw.com/p/ArXF
Besnik Mustafaj, Ministri i jashtëm shqiptar
Besnik Mustafaj, Ministri i jashtëm shqiptarFotografi: picture alliance

Tirana zyrtare e ka përshëndetur qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, në mbështetje të Raportit dhe Propozimit të Presidentit Marti Ahtisari, në të cilin rekomandohet pvarësia e mbikqyrur, si opcioni i vetëm realist dhe i qëndrueshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Gjithashtu është shprehur mirënjohja e thellë për punën e devotshme dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Presidentit Ahtisari për drejtimin e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës.

Shefi i diplomacisë shqiptare Besnik Mustafaj në një deklaratë për mediat në Tiranë u shpreh se "Rekomandimi i bërë nga ana e tij, në përmbyllje të këtij procesi, të formuluar tashmë me termin "pavarësi e mbikqyrur" merr në konsideratë rrethanat historike, realitetin e tanishëm, si dhe nevojën urgjente për stabilitet politik dhe ekonomik në Kosovë”. Për Mustafajn Shqipëria është e bindur se në këtë fazë tejet të rëndësishme, deri në finalizimin e statusit në Këshillin e Sigurimit, për të cilin besojmë se do të përmbyllet shpejt, faktorët politikë në Kosovë do të vazhdojnë të jenë në partneritet të plotë me komunitetin ndërkombëtar. "Kosova ka ecur shumë
përpara dhe duhet të dijë t’i ruajë arritjet e saj. Ajo nuk mund të humbë perspektivën. Kërkohet unitet, maturi dhe vetëpërmbajtje, si dëshmi e standarteve të plotësuara nga shoqëria dhe institucionet e Kosovës për të merituar shtetin e pavarur"-komentoi ministri i jashtëm i Shqipërisë.

Në emër të qeverisë shqiptare ai iu bëri thirrje komuniteteve pakicë, veçanërisht atij serb në Kosovë që të përfshihen në këtë proces vendimtar e të pakthyeshëm, me besimin se edhe autoritetet e Beogradit do t`ii bashkohen këtij apeli ndërkombëtar në dobi të ndërtimit të një klime të favorshme për integrimin e plotë të këtij komuniteti në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. "Jemi të bindur se implementimi i rekomandimeve të paraqitura nga zoti Ahtisari do t`i mundësojë rajonit në tërësi të shkëputet përfundimisht nga e kaluara në emër të një Ballkani të ri, të bazuar në paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë, të orientuar drejt integrimit europian dhe
euroatlantik,"u shpreh në Tiranë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj.